Emigrantët shqiptarë që jetojnë jashtë vendit kanë paralajmëruar organizimin e tubimeve sensibilizuese në mbështetje të kauzës për mbrojtjen e Zvërnecit dhe Lagunës së Nartës. Sipas njoftimeve të shpërndara në rrjetet sociale, protesta pritet të zhvillohen në disa qytete europiane, mes tyre Londër, Hagë, Stokholm, Madrid dhe Vjenë.
Kjo nismë vjen në vijim të reagimeve dhe protestave të zhvilluara në Shqipëri kundër projektit që parashikohet të zbatohet në zonën e Nartës. Aktivistë, qytetarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile kanë kërkuar më shumë transparencë lidhur me projektin, duke ngritur shqetësime për ndikimin e mundshëm në mjedis.
Pjesëmarrësit në këto tubime theksojnë rëndësinë e ruajtjes së ekosistemit të Lagunës së Nartës, një zonë e njohur për biodiversitetin e saj dhe praninë e flamingove. Ata kërkojnë që çdo zhvillim të shoqërohet me garanci për mbrojtjen e pasurive natyrore dhe respektimin e standardeve mjedisore.
