Kryeministri Edi Rama ka ashpërsuar qëndrimin ndaj protestave kundër projektit turistik në Zvërnec, duke i cilësuar tubimet si pjesë të një “lufte hibride” të ushqyer nga interesa të jashtme dhe fushata dezinformimi në rrjetet sociale.
Në dy reagime të njëpasnjëshme gjatë ditës së djeshme, Rama deklaroi se Shqipëria po përballet me sulme të organizuara që synojnë të pengojnë investimet strategjike dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Sipas tij, çështjet mjedisore po përdoren si instrument për të nxitur reagime emocionale dhe për të manipuluar opinionin publik.
“Ne jemi përballë një lufte hibride. Ka forca që organizojnë dhe orkestrojnë situata të tilla duke përdorur ndjeshmërinë e qytetarëve për mjedisin. Në këto raste bashkohen ekstremistë dhe grupe të ndryshme që synojnë të pengojnë zhvillimin e vendit”, u shpreh Rama.
Refuzon dorëheqjen
I pyetur për kërkesat e protestuesve që kërkojnë largimin e tij nga posti i kryeministrit, Rama u shpreh se nuk ka asnjë arsye për të dhënë dorëheqjen dhe se mandati i tij buron nga vota e qytetarëve.
“Unë përfaqësoj vullnetin e të paktën 800 mijë shqiptarëve dhe kam një kontratë me ta. Asgjë nuk më lëviz nga pozicioni ku më kanë vendosur shqiptarët”, deklaroi kreu i qeverisë.
Ai shtoi se është i gatshëm të dialogojë me qytetarët që kanë shqetësime reale për mjedisin dhe projektin, por jo me ata që, sipas tij, përdorin protestat për qëllime politike.
Mesazhi për SPAK dhe çështjen e pronës
Kryeministri komentoi edhe hetimet e SPAK lidhur me transaksionet e pronave në zonën e Zvërnecit, duke e konsideruar pozitiv vendimin për verifikimin e plotë të origjinës së pronës dhe fondeve.
Sipas Ramës, hetimi do të sqarojë përfundimisht se kush ka të drejtë ligjore mbi tokat ku pritet të zhvillohet investimi.
“Nëse shitësi ka origjinë legjitime të pronës, do të marrë paratë. Nëse jo, fondet do të mbeten në dispozicion për ata që provojnë ligjërisht pretendimet e tyre mbi pronën”, deklaroi ai.
Kryeministri theksoi se procesi i SPAK do t’i japë fund spekulimeve dhe debateve mbi pronësinë, ndërsa e cilësoi investimin në Zvërnec si një projekt me rëndësi të madhe ekonomike dhe strategjike për Shqipërinë.
