Dita e katërt e protestave për Zvërnecin, përplasje me policinë në Tiranë! Qytetarët kërkojnë burg për Ramën dhe Berishën, paralajmërohet tubim i ri

Data

Pas më shumë se tre orë e gjysmë protestë dhe marshim në qendër të Tiranës, është mbyllur tubimi i katërt radhazi kundër projektit turistik në Zvërnec. Qytetarët dhe aktivistët që morën pjesë në protestë deklaruan se mobilizimi do të vazhdojë edhe gjatë ditës së sotme, duke theksuar se kundërshtimi ndaj investimit nuk do të ndalet.

Protesta nisi në Sheshin “Skënderbej” dhe u shoqërua me tensione që në orët e para. Në afërsi të Urës së Lanës, forca të shumta policie kishin vendosur gardhe metalike dhe masa të shtuara sigurie, duke argumentuar se ato lidhen me planin e sigurisë për ndeshjen miqësore Shqipëri–Izrael.

Kjo shkaktoi përplasje mes protestuesve dhe policisë, pasi pjesëmarrësit e konsideruan bllokimin si një përpjekje për të penguar marshimin drejt Kryeministrisë. Pas disa minutash tension, policia u tërhoq, hapi gardhet dhe lejoi vijimin e protestës drejt selisë së qeverisë. Ky veprim u prit me brohoritje nga turma, e cila e cilësoi si një fitore të saj.

Përpara Kryeministrisë, protestuesit mbajtën fjalime kundër projektit në Zvërnec dhe kundër qeverisë, ndërsa në kor u dëgjuan edhe thirrje për burgosjen e kryeministrit Edi Rama dhe ish-kryeministrit Sali Berisha.

Tubimi u mbyll në mënyrë paqësore në orët e mbrëmjes, ndërsa organizatorët njoftuan se protesta do të vijojë edhe sot, me synimin për të rritur presionin ndaj institucioneve për ndalimin e projektit.

Reagimi i Berishës

Lidhur me protestën, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se respekton të drejtën e qytetarëve për të protestuar, por kritikoi grupet që, sipas tij, veprojnë si “opozitë kundër opozitës”.

“Respektojmë të drejtën e çdo njeriu për protestë. Kurse për sa i përket atyre grupeve të opozitës kundër opozitës, ata janë mjerimi i vërtetë i politikës dhe i qytetarisë shqiptare”, u shpreh Berisha.

Ai u deklarua gjithashtu në favor të zhvillimit të projektit në Zvërnec, duke theksuar se shteti duhet të garantojë mbrojtjen e mjedisit dhe zgjidhjen e çështjeve të pronësisë në mënyrë transparente.

Berisha kritikoi edhe deklaratat e kryeministrit Rama, i cili ka pretenduar se pas protestave fshihen interesa të jashtme, duke përfshirë edhe ndikime nga Greqia. Sipas kreut të PD-së, pretendime të tilla janë të papranueshme dhe nuk ndihmojnë në zgjidhjen e debatit për projektin në Zvërnec.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related