Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Grigels Muçollari, reagoi pas protestës së zhvilluar në Tiranë, duke deklaruar se kryeministri Edi Rama ka humbur mbështetjen qytetare dhe se pjesëmarrja në protestat kundër qeverisë po rritet vazhdimisht.
Sipas Muçollarit, korrupsioni dhe arroganca e qeverisë kanë bashkuar qytetarë me bindje dhe prejardhje të ndryshme rreth një qëllimi të përbashkët: largimin e qeverisë aktuale.
Ai theksoi se në protestë morën pjesë të rinj, familjarë dhe qytetarë nga shtresa të ndryshme të shoqërisë, të cilët, pavarësisht dallimeve, ndajnë të njëjtën pakënaqësi ndaj mënyrës së qeverisjes.
“Sa më shumë që kryeministri flet, tall apo sulmon protestuesit, aq më shumë rritet pjesëmarrja në protesta. Kjo tregon se instrumentet dhe mundësitë politike të Edi Ramës janë shteruar,” u shpreh Muçollari.
Në reagimin e tij, ai shtoi se qytetarët janë bashkuar kundër asaj që e cilësoi si një qeverisje abuzuese, përfituese dhe shpërfillëse ndaj interesave të tyre.
“Vetëm Edi Rama, me korrupsionin dhe arrogancën e tij, ka arritur të bashkojë kaq shumë njerëz me bindje të ndryshme në një protestë të përbashkët. Ai është i rrëzuar politikisht dhe ka prekur fundin,” deklaroi Muçollari.
