Ish-prokurori Ervin Karanxha ka bërë thirrje që Prokuroria e Posaçme (SPAK) të hetojë në thellësi çështjet e pronësisë në zonat bregdetare të vendit, duke theksuar se transparenca dhe zbardhja e çdo dyshimi janë thelbësore për interesin publik.
I ftuar në një studio televizive, Karanxha u shpreh se pretendimet e ngritura nga banorët për pronat në Zvërnec, por edhe në zona të tjera të bregdetit shqiptar, duhet të verifikohen nga institucionet ligjzbatuese.
Sipas tij, problematika e pronave në këto zona është e njohur prej vitesh dhe ka qenë objekt i hetimeve dhe proceseve gjyqësore. Ai kujtoi se në të kaluarën janë trajtuar çështje që lidhen me falsifikimin e dokumenteve të pronësisë, ndërsa theksoi se autoritetet duhet të verifikojnë origjinën e titujve të pronësisë dhe ligjshmërinë e tyre.
“Këto çështje duhet të verifikohen, duhet parë se nga ka rrjedhur pronësia dhe nëse ajo është përfituar në mënyrë të ligjshme. Në rast se konstatohet se toka është marrë në mënyrë të paligjshme, atëherë shteti duhet të ndërhyjë sipas ligjit”, deklaroi Karanxha.
Ish-prokurori theksoi se nuk është kundër investimeve në zonat turistike, por nënvizoi se çdo projekt duhet të shoqërohet me transparencë të plotë dhe siguri juridike mbi pronësinë.
“Unë personalisht nuk jam kundër investimeve, por është e domosdoshme që të ketë transparencë. Vetëm në këtë mënyrë mund të garantohet besimi i qytetarëve dhe mbrojtja e interesit publik”, u shpreh ai.
Deklaratat e Karanxhës vijnë në një kohë kur çështja e pronave në bregdet, veçanërisht në zonën e Zvërnecit, është kthyer në qendër të debatit publik dhe politik, ndërsa SPAK ka nisur verifikime mbi titujt e pronësisë në zonat ku parashikohen investime të mëdha turistike.
