Apeli rihap hetimin për vrasjen e Martin Canit, kërkohen raporte psikologjike për të miturit
Gjykata e Apelit të Tiranës ka vendosur të rihapë hetimin gjyqësor për çështjen e vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani, ngjarje që tronditi opinionin publik. Vendimi u mor në seancën e zhvilluar me dyer të mbyllura, ku u shqyrtua ankimi lidhur me dosjen ndaj të miturit Mario Pëlleshaj, i dënuar në shkallën e parë për vrasjen e bashkëmoshatarit të tij.
Trupa gjyqësore e përbërë nga gjyqtarët Fatri Islami, Enida Petri dhe Valdete Hoxha urdhëroi kryerjen e raporteve psikologjike për Mario Pëlleshajn, si dhe për Luis Meçajn, i cili mbeti i plagosur gjatë ngjarjes.
Sipas vendimit, në seancën e ardhshme, të caktuar më 10 qershor, do të paraqitet edhe psikologia që do të ngarkohet me hartimin e ekspertizave përkatëse.
Kujtojmë se më 9 dhjetor 2025, Gjykata e Tiranës dënoi Mario Pëlleshajn me 16 vite burg, duke e shpallur fajtor për veprat penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” ndaj Martin Canit dhe “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese, mbetur në tentativë” ndaj Luis Meçajt.
Vendimi i Apelit për rihapjen e hetimit pritet të sjellë zhvillime të reja në një nga çështjet më të ndjeshme që kanë përfshirë të mitur në vitet e fundit.
