“Kur kupton se shteti nuk ekziston më”, gazetari Osman Stafa zbulon mesazhet që po ndezin protestat në Tiranë

Data

Protestat që prej disa ditësh kanë mbushur rrugët e Tiranës po marrin përmasa gjithnjë e më të gjera, ndërsa sipas gazetarit Osman Stafa ato nuk lidhen më vetëm me kundërshtimin ndaj projektit në Zvërnec, por janë shndërruar në një revoltë më të gjerë qytetare kundër problemeve që prekin vendin.

I ftuar në një intervistë televizive, Stafa deklaroi se pika që mbushi kupën ishte dhuna e ushtruar ndaj protestuesve në Zvërnec dhe mosreagimi i strukturave shtetërore, veçanërisht i Policisë së Shtetit. Sipas tij, pamjet e publikuara krijuan bindjen se institucionet nuk po veprojnë për të mbrojtur qytetarët.

“Mjaftoi ai moment kur kupton se shteti në vendin tënd nuk ekziston. Pamjet treguan një protestues që tërhiqej zvarrë, ndërsa policia ishte aty dhe nuk reagoi. Kjo ishte pika që ndezi revoltën”, u shpreh gazetari.

Stafa theksoi se fillimisht protestat kishin në fokus mbrojtjen e zonave të mbrojtura natyrore, si Zvërneci dhe Rrjolli, por me kalimin e ditëve mesazhet e qytetarëve janë zgjeruar ndjeshëm. Sipas tij, në tubime po artikulohen shqetësime që lidhen me sistemin arsimor, shpopullimin, rritjen e çmimeve, sigurinë ushqimore dhe cilësinë e jetës në vend.

Ai vuri në dukje se pjesëmarrësit kryesorë në protesta janë të rinjtë, të cilët po arrijnë ta mbajnë të gjallë reagimin qytetar për orë të tëra me pankarta, thirrje dhe mesazhe kundër situatës aktuale.

Sipas gazetarit, protestat po marrin karakter më të gjerë politik dhe shoqëror, pasi një pjesë e protestuesve po shprehin pakënaqësi jo vetëm ndaj qeverisë, por edhe ndaj opozitës, duke kërkuar ndryshim të mënyrës së qeverisjes dhe më shumë llogaridhënie nga institucionet.

Në këtë klimë tensioni dhe debati publik, mbetet për t’u parë nëse protesta do të vijojë të zgjerohet dhe të shndërrohet në një lëvizje më të gjerë qytetare në ditët në vijim.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related