Analisti Genc Burimi ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama, i cili krahasoi protestuesit kundër projektit në Zvërnec me grupime të ekstremit të djathtë si nazistët gjermanë dhe anëtarët e organizatës greke “Agimi i Artë”.
Sipas Burimit, përdorimi i këtyre etiketimeve ndaj qytetarëve që po protestojnë në mënyrë paqësore përbën një ofendim të rëndë dhe të papranueshëm në debatin publik.
“Është një nga ofendimet më skandaloze që mund t’u bëhet protestuesve shqiptarë. Krahasimi me nazistët e Gjermanisë së viteve ’30 dhe me ngjarje tragjike të historisë është i pajustifikueshëm dhe tregon një gjuhë përçarëse ndaj qytetarëve që shprehin kundërshtimin e tyre”, shkruan Burimi në reagimin e tij.
Analisti vlerëson se protestat e zhvilluara gjatë ditëve të fundit në Tiranë kanë qenë paqësore dhe se etiketimet e tilla nuk kontribuojnë në dialogun demokratik, por rrisin tensionet politike.
Debati u ndez pasi kryeministri Rama, në një postim në rrjetet sociale, i krahasoi disa prej protestuesve me grupime nacionaliste radikale, duke i cilësuar si “çeta kinse shqiponjash” dhe “çakej të Agimit të Artë”, deklarata që kanë sjellë reagime të shumta në opinionin publik.
Ndërkohë, protestat kundër projektit në Zvërnec vijojnë si në Tiranë ashtu edhe në disa qytete europiane ku jetojnë komunitete shqiptare, ndërsa përplasjet politike mbi këtë çështje po bëhen gjithnjë e më të forta.
