Reagimi i shqiptarëve kundër projektit të investimit në Zvërnec duket se ka kaluar kufijtë e Shqipërisë. Ndërsa në Tiranë vijojnë protestat për të katërtën ditë radhazi, shqiptarët e diasporës kanë njoftuar organizimin e tubimeve solidarizuese edhe në Gjermani.
Sipas njoftimeve të publikuara në rrjetet sociale, protesta do të zhvillohen paralelisht në Berlin dhe Mynih, me pjesëmarrës që pritet të shprehin kundërshtimin ndaj projektit në zonën e mbrojtur të Zvërnecit dhe të kërkojnë më shumë transparencë mbi investimin.
Në Berlin, tubimi është planifikuar të mbahet përpara Ambasadës së Shqipërisë në orën 18:30, ndërsa një protestë e ngjashme është paralajmëruar edhe në Mynih.
Organizatorët deklarojnë se qëllimi i këtyre aktiviteteve është sensibilizimi i opinionit publik ndërkombëtar dhe mbështetja e protestave që po zhvillohen në Shqipëri lidhur me çështjet e mjedisit, pronës dhe investimeve strategjike.
Zgjerimi i protestave në qytete europiane tregon se debati rreth projektit të Zvërnecit po tërheq vëmendje jo vetëm brenda vendit, por edhe te komunitetet shqiptare jashtë kufijve.
