Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër pas protestës së zhvilluar një ditë më parë kundër projektit turistik në Zvërnec, duke i cilësuar protestuesit si “mysafirë të paftuar” dhe duke i krahasuar me lëvizje ekstremiste të së kaluarës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama publikoi pamje nga protestuesit që u grumbulluan pranë selisë së Partisë Socialiste, ndërsa hodhi akuza të forta ndaj organizatorëve dhe pjesëmarrësve të protestës. Sipas tij, retorika e përdorur nga një pjesë e protestuesve ngjan me sloganet nacionaliste dhe përjashtuese që kanë shoqëruar lëvizje radikale në Europë.
Kreu i qeverisë i krahasoi ata me mbështetësit e ideologjive ekstremiste që në të kaluarën promovuan urrejtjen dhe përçarjen, duke theksuar se thirrjet për “Shqipërinë e shqiptarëve” i kujtojnë sloganet e përdorura nga lëvizjet nacionaliste në vende të tjera.
Rama bëri gjithashtu një paralelizëm me organizatën greke “Agimi i Artë”, duke pretenduar se kundërshtimi ndaj investimeve strategjike dhe zhvillimit ekonomik ndjek të njëjtën logjikë përjashtuese që, sipas tij, është përdorur nga grupime ekstremiste në rajon.
“Shqipëria e shqiptarëve dhe këto çeta kinse shqiponjash që ulërasin rrugëve të kujtojnë sloganet e errëta që kanë sjellë tragjedi në histori. Po ashtu, ngjajnë me ata që në Greqi kundërshtonin investimet dhe kërkonin të nxisnin urrejtje ndaj të tjerëve”, shkroi Rama.
Kryeministri u shpreh se protestuesit po përdoren nga individë që ushqejnë klimën e konfliktit dhe dezinformimit, ndërsa përsëriti se projektet zhvillimore në jug të vendit do të vijojnë sipas planit të qeverisë.
Reagimi i Ramës vjen në një kohë kur debati për investimin në Zvërnec është përshkallëzuar, me protesta të vazhdueshme nga aktivistë dhe banorë që kundërshtojnë projektin, ndërsa qeveria insiston se investimi do të sjellë zhvillim ekonomik, vende pune dhe rritje të potencialit turistik të zonës.
