Një zhvillim i rëndësishëm ka goditur projektin e Aeroportit të Vlorës, pasi kompania gjermane Munich Airport International ka vendosur të mbyllë degën e saj në Shqipëri dhe të tërhiqet përfundimisht nga projekti i operimit të aeroportit.
Sipas vendimit të bordit drejtues të kompanisë, procedurat për likuidimin dhe çregjistrimin e degës në Shqipëri kanë nisur zyrtarisht, duke i dhënë fund angazhimit të saj në një projekt ku ishte parashikuar të merrte rolin e operatorit të aeroportit.
Tërheqja e kompanisë gjermane vjen në një moment kur projekti është përfshirë nga konflikte të forta mes aksionarëve të shoqërisë koncesionare Vlora International Airport (VIA). Përplasja kryesore është zhvilluar mes biznesmenit Behgjet Pacolli, përfaqësues i kompanisë Mabco, dhe biznesmenit Valon Ademi, pronar i kompanisë 2A Group.
Mosmarrëveshjet lidhen me kontrollin e kompanisë koncesionare, administrimin e projektit dhe pretendimet për ndryshime të aksioneve, çështje që tashmë janë bërë objekt i proceseve gjyqësore dhe hetimeve.
Largimi i operatorit gjerman krijon një problem të ri për aeroportin, pasi kontrata koncesionare kërkon që operimi i aeroportit të kryhet nga një kompani me eksperiencë ndërkombëtare në menaxhimin e aeroporteve. Aktualisht, asnjë nga aksionarët kryesorë të projektit nuk disponon një eksperiencë të tillë.
Ndërkohë, projekti vijon të shoqërohet me debate të forta politike dhe juridike. Kritikat janë përqendruar te procedurat e tenderimit, ndryshimet e kushteve të garës, largimi i partnerit teknik turk dhe garancitë financiare të dhëna nga shteti për koncesionarin.
Pavarësisht investimeve të kryera deri tani, e ardhmja e Aeroportit të Vlorës mbetet e paqartë, ndërsa pyetja kryesore që shtrohet tashmë është se kush do ta operojë aeroportin nëse punimet përfundojnë dhe projekti hyn në fazën e shfrytëzimit.
