Deputeti i Partisë Demokratike, Arjan Ndoja, ka deklaruar se hapja e grup-kapitujve të negociatave me Bashkimin Europian nuk duhet parë si fundi i procesit të integrimit, por si fillimi i një faze shumë më sfiduese për Shqipërinë.
I ftuar në një studio televizive, Ndoja tha se qeveria po promovon si sukses hapjen e kapitujve, ndërsa sipas tij po lihet në hije fakti se vendi duhet të përmbushë një sërë kriteresh të rëndësishme që lidhen me sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe funksionimin e institucioneve.
Sipas deputetit demokrat, Shqipëria ka bërë përparim në përafrimin e legjislacionit me standardet europiane, por problemi kryesor mbetet zbatimi i ligjeve në praktikë.
“Po përkthejmë dhe po përafrojmë ligje me Bashkimin Europian, por kjo nuk mjafton. Ajo që kërkon Europa është zbatimi i tyre, reforma reale dhe rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, u shpreh Ndoja.
Ai iu referua edhe mesazheve të dhëna gjatë vizitës së fundit në Tiranë nga António Costa, duke theksuar se zyrtarët europianë po kërkojnë jo vetëm miratimin e reformave, por edhe funksionimin efektiv të institucioneve dhe një administratë të depolitizuar.
Ndoja argumentoi se shumë prej ligjeve të reja po miratohen për të përmbushur kriteret teknike të integrimit, ndërkohë që zhvillimi social, arsimi, shëndetësia dhe siguria vazhdojnë të përballen me probleme serioze.
Sipas tij, vizitat e shpeshta të drejtuesve europianë në Ballkanin Perëndimor nuk janë vetëm vizita protokollare, por edhe një sinjal për qeveritë e rajonit që të përshpejtojnë reformat dhe të tregojnë më shumë vendosmëri në luftën kundër korrupsionit dhe krimit.
Deputeti demokrat shtoi se procesi i anëtarësimit në BE është një interes i përbashkët kombëtar, por theksoi se përmbushja e standardeve europiane kërkon më shumë sesa miratimin formal të ligjeve, duke kërkuar rezultate të prekshme për qytetarët dhe forcim të shtetit ligjor.
