NATO dhe SHBA nisin stërvitjen e madhe BALTOPS në Detin Baltik, aleanca dërgon mesazh uniteti dhe force ndaj Rusisë

Data

Aleatët e NATO dhe Shtetet e Bashkuara do të nisin këtë javë stërvitjen e përvitshme detare BALTOPS në Detin Baltik, në një moment tensionesh të vazhdueshme mes Perëndimit dhe Rusia.

Manovra ushtarake, e organizuar që prej vitit 1971, do të zhvillohet nga 4 deri më 20 qershor dhe do të përfshijë rreth 20 anije luftarake, 15 vende pjesëmarrëse dhe afro 6 mijë efektivë ushtarakë. Edhe pse në përmasa më të reduktuara krahasuar me vitin e kaluar, BALTOPS mbetet stërvitja më e madhe detare në rajonin e Baltikut gjatë vitit 2026.

Shtetet e Bashkuara do të marrin pjesë me anijen komanduese USS Mount Whitney, duke konfirmuar vazhdimësinë e angazhimit të tyre në sigurinë euroatlantike.

Sipas kundëradmiralit gjerman Stephan Haisch, zhvillimi i kësaj stërvitjeje në rrethanat aktuale përçon një sinjal të qartë politik dhe ushtarak.

“Është një shenjë e unitetit dhe forcës së aleancës. Fakti që një stërvitje e tillë zhvillohet nën drejtimin e SHBA-së dhe me pjesëmarrje të gjerë të vendeve aleate tregon kohezionin e NATO-s”, deklaroi ai.

Deti Baltik është kthyer vitet e fundit në një nga zonat më të ndjeshme të sigurisë europiane, veçanërisht pas përkeqësimit të marrëdhënieve mes NATO-s dhe Rusisë. Rritja e pranisë ushtarake, incidentet me infrastrukturën nënujore dhe shqetësimet për sigurinë detare kanë shtuar rëndësinë strategjike të rajonit.

Megjithëse organizatorët theksojnë se BALTOPS nuk është projektuar si përgjigje direkte ndaj ndonjë zhvillimi të veçantë, koha e zhvillimit të saj dhe pjesëmarrja e gjerë e vendeve aleate interpretohen si një demonstrim i gatishmërisë dhe koordinimit të NATO-s përballë sfidave të sigurisë në Europën Veriore.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related