Protesta kundër projektit në Zvërnec ka vijuar mbrëmjen e sotme me thirrje të forta politike dhe kërkesa për ndryshime të thella në politikat e qeverisë lidhur me investimet dhe përdorimin e territorit.
Gjatë tubimit në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, protestuesit kanë artikuluar slogane kundër qeverisë, ndërsa nga podiumi janë bërë thirrje për dorëheqjen e kabinetit qeveritar.
Një nga pjesëmarrëset në protestë kërkoi jo vetëm anulimin e projektit në Zvërnec, por edhe shfuqizimin e ligjit për investimet strategjike dhe të ashtuquajturës “Paketa e Maleve”, duke argumentuar se këto nisma favorizojnë interesa private në dëm të pasurive publike dhe komuniteteve lokale.
Mes brohorimave të turmës janë dëgjuar edhe thirrje të tjera kundër qeverisë, ndërsa pjesëmarrësit kanë kërkuar më shumë transparencë, konsultim publik dhe mbrojtje të mjedisit.
Protesta po zhvillohet në ditën e tretë radhazi dhe është përqendruar kryesisht te kundërshtimi i projektit të planifikuar në Zvërnec, por gjatë saj janë ngritur edhe shqetësime më të gjera mbi politikat e zhvillimit, pronësinë dhe menaxhimin e territorit në vend.
Tubimi vijon nën monitorimin e forcave të rendit, ndërsa organizatorët kanë bërë thirrje për ruajtjen e karakterit paqësor të protestës.
