Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar mesditën e kësaj të marte në aksin Levan–Tepelenë, në zonën e Fratarit në Mallakastër, ku janë përfshirë të paktën pesë automjete.
Sipas informacioneve paraprake, përplasja zinxhir ka shkaktuar plagosjen e tre personave, mes tyre edhe dy shtetas gjermanë. Të lënduarit janë transportuar menjëherë drejt spitalit rajonal të Fierit, ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore. Burime paraprake bëjnë me dije se ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë dhe grupi hetimor, të cilët kanë nisur veprimet për zbardhjen e rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.
Për shkak të përplasjes së automjeteve, qarkullimi në këtë segment rrugor u bllokua për disa minuta, duke shkaktuar trafik të rënduar dhe radhë të gjata automjetesh.
Autoritetet vijojnë hetimet për të përcaktuar shkakun e saktë të aksidentit, ndërsa u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit dhe kufijtë e shpejtësisë, veçanërisht në akset me fluks të lartë lëvizjeje.
