Drejtuesja e Departamentit të Inovacionit dhe Inteligjencës Artificiale në Partinë Demokratike, Denisa Kele, ka kritikuar ashpër nismën për krijimin e strukturës së re “Albanian Digital Solution”, duke e cilësuar atë si një përpjekje për të mbuluar dështimet dhe aferat që sipas saj kanë shoqëruar aktivitetin e Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit.
Gjatë një interviste televizive, Kele deklaroi se krijimi i një institucioni të ri vjen në një kohë kur vetë AKSHI ndodhet në qendër të hetimeve dhe akuzave për korrupsion, ndërsa disa ish-zyrtarë të saj janë nën hetim ose përballen me masa sigurie nga drejtësia.
Sipas saj, qeveria po tenton të paraqesë si reformë ngritjen e një strukture të re, ndërkohë që nuk ka dhënë llogari për mënyrën se si janë shpenzuar fondet publike në sektorin e teknologjisë.
“AKSHI është vjedhja më e madhe dhe më e paturpshme që i është bërë Shqipërisë. Vetëm platforma e-Albania ka kushtuar deri në vitin 2024 rreth 400 milionë euro dhe vazhdon të konsumojë miliona të tjera çdo vit për mirëmbajtje”, u shpreh Kele.
Ajo vuri në pikëpyetje nevojën për krijimin e “Albanian Digital Solution”, duke argumentuar se nëse AKSHI konsiderohet nga qeveria një histori suksesi, atëherë nuk ka arsye për ngritjen e një agjencie tjetër me buxhet të konsiderueshëm.
Sipas saj, struktura e re pritet të ketë qindra vende pune me paga të larta dhe një buxhet që mund të arrijë deri në 700 milionë euro, ndërsa problemet teknike dhe organizative të sistemit ekzistues mbeten të pazgjidhura.
Kele theksoi gjithashtu se ekspertët e teknologjisë dhe profesionistët që kanë ngritur shqetësime publike për funksionimin e sistemeve digjitale nuk janë konsultuar në asnjë moment për përmirësimin e tyre.
Në deklaratën e saj, ajo kritikoi edhe funksionimin e platformës e-Albania, duke e cilësuar si shpesh jofunksionale, pavarësisht kostove të larta që sipas saj janë përballuar nga taksapaguesit shqiptarë.
Debati mbi të ardhmen e AKSHI-t dhe krijimin e “Albanian Digital Solution” vjen në një moment kur hetimet për procedurat e tenderimit dhe administrimin e fondeve publike në sektorin e teknologjisë vijojnë të jenë në fokus të opinionit publik dhe institucioneve të drejtësisë.
