Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin Muscatine në SHBA, ku gjashtë persona kanë humbur jetën pas një serie të shtënash me armë zjarri, që sipas hetimeve paraprake lidhen me një konflikt brenda familjes.
Sipas Departamentit të Policisë së Muscatine, autori i dyshuar, 52-vjeçari Ryan Willis McFarland, u gjet i vdekur më vonë me një plagë të vetëshkaktuar nga arma e zjarrit. Hetuesit dyshojnë se të gjitha viktimat kishin lidhje familjare me të.
Ngjarja nisi të hënën, kur policia mori një njoftim për të shtëna me armë. Në një banesë, efektivët gjetën katër persona pa shenja jete, të cilët ishin qëlluar me armë zjarri.
Sipas autoriteteve, McFarland ishte larguar nga vendi i ngjarjes para mbërritjes së policisë. Ai u lokalizua më vonë pranë një ure këmbësorësh buzë lumit, ku u gjet i vdekur.
Gjatë kontrolleve të mëtejshme, policia zbuloi edhe dy viktima të tjera në vende të ndryshme të qytetit. Një burrë u gjet i vrarë në një banesë tjetër, ndërsa viktima e gjashtë u gjet në ambientet e një biznesi lokal.
“Gjetjet paraprake tregojnë se të shtënat lidhen me një konflikt familjar. Të gjitha viktimat besohet se janë familjarë të autorit të dyshuar”, deklaruan autoritetet në një njoftim zyrtar.
Policia bëri të ditur se 52-vjeçari kishte precedentë penalë, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të motiveve dhe rrethanave të ngjarjes vijojnë.
