Rama krahason Zvërnecin me Costa Navarinon: Zhvillimi nuk ndalet nga paragjykimet dhe profecitë e katastrofës

Data

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me debatet për projektin turistik në Zvërnec, duke sjellë si shembull resortin e njohur grek Costa Navarino, të cilin e cilësoi një histori suksesi të zhvillimit të qëndrueshëm.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama kujtoi se edhe projekti i Costa Navarinos ishte kundërshtuar fort në fazat e para, me protesta, peticione dhe paralajmërime për pasoja mjedisore. Sipas tij, pavarësisht kritikave, projekti u realizua dhe sot konsiderohet një nga destinacionet turistike më prestigjioze në Evropë.

“Kosta Navarino mund të quhet historia e zakonshme e lajmëtarëve të katastrofës. Para se të ndërtohej, u tha se do të shkatërrohej natyra, do të zhdukej biodiversiteti dhe zona do të betonizohej. Sot është simbol i transformimit, me mijëra vende pune dhe miliarda euro të gjeneruara për ekonominë”, shkruan Rama.

Kreu i qeverisë theksoi se zhvillimi nuk duhet të paragjykohet automatikisht dhe se projektet e mëdha mund të bashkëjetojnë me mbrojtjen e mjedisit kur zbatohen standardet e duhura.

Ai solli edhe disa tregues të projektit grek, duke përmendur uljen e emetimeve të karbonit, përdorimin e energjisë së rinovueshme dhe riciklimin e ujit si dëshmi se zhvillimi ekonomik dhe ruajtja e natyrës mund të ecin paralelisht.

Megjithatë, Rama pranoi se jo çdo investim i madh është domosdoshmërisht i mirë dhe se shqetësimet e qytetarëve duhen dëgjuar. Sipas tij, refuzimi kategorik i projekteve zhvillimore nuk është zgjidhje.

“Nëse do të dëgjohej gjithmonë kori i atyre që thonë ‘nuk bëhet’, njerëzimi do të ishte ende duke diskutuar nëse ia vlen të shpiket rrota”, u shpreh ai.

Në fund të reagimit, kryeministri ngriti pyetjen nëse Shqipëria mund të ketë një histori të ngjashme suksesi dhe u përgjigj vetë pozitivisht, duke deklaruar se Zvërneci mund të shndërrohet në “Costa Navarinon e Shqipërisë”, madje në një destinacion edhe më tërheqës në Mesdhe, nëse projekti realizohet sipas standardeve të parashikuara.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related