“Kathimerini”: Dy autobusë u nisën nga Athina për protestën në Zvërnec, dhjetëra të tjerë udhëtuan me automjetet e tyre

Data

Media greke  Kathimerini ka publikuar detaje mbi protestën e zhvilluar në Zvërnec, ku ndodhën përplasje mes protestuesve dhe rojeve private të sigurisë në zonën ku parashikohet një investim turistik.

Sipas raportimit të medias greke, më shumë se 300 persona morën pjesë në protestën e së shtunës, ndërsa dy autobusë u nisën nga Athinë mbrëmjen e së premtes për t’iu bashkuar tubimit. Gjithashtu, dhjetëra qytetarë të tjerë udhëtuan drejt Shqipërisë me automjetet e tyre nga qytete të ndryshme të Greqisë.

Në artikull thuhet se pak ditë para protestës ishte zhvilluar një takim në Athinë mes përfaqësuesve të komunitetit të Zvërnecit dhe përfaqësuesve të autoriteteve lokale shqiptare, me synimin për të ulur tensionet rreth projektit të planifikuar turistik.

Sipas banorëve të cituar nga Kathimerini, gardhi i vendosur në zonë bllokonte aksesin drejt plazheve dhe tokave që më parë përdoreshin nga komuniteti vendas. Ata e konsideruan vendosjen e tij si një “shfaqje force” nga interesat e biznesit.

Një prej pjesëmarrësve në protestë, Alexandros Poulas, deklaroi se organizatorët kishin kërkuar nga policia të kryenin një protestë simbolike brenda zonës së rrethuar për rreth 15 minuta dhe më pas të largoheshin pa incidente.

Artikulli përshkruan gjithashtu praninë e personave të veshur me të zeza pas gardhit, të cilët sipas dëshmive të protestuesve ishin pjesë e një kompanie private sigurie. Banorët pretendojnë se disa prej tyre mbanin shkopinj gome, filmonin protestuesit dhe ushtronin presion psikologjik ndaj tyre.

Raportimi i medias greke vjen në një kohë kur çështja e Zvërnecit ka marrë jehonë të gjerë politike dhe diplomatike në Shqipëri dhe Greqi, ndërsa autoritetet shqiptare dhe SPAK kanë nisur verifikime dhe hetime lidhur me zhvillimet e fundit në këtë zonë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related