Rama për projektin në Zvërnec: Ndërtimet do të bëhen vetëm në prona private, laguna e Nartës nuk do të preket

Data

Kryeministri Edi Rama deklaroi se projekti turistik në zonën e Zvërnecit do të zhvillohet vetëm në prona private me tituj të rregullt pronësie dhe se zona e lagunës së Nartës nuk do të preket nga ndërtimet.

Gjatë një komunikimi publik, Rama theksoi se projekti ka kaluar në disa faza rishikimi dhe se versionet e para janë refuzuar ose ndryshuar për të respektuar standardet mjedisore dhe kufizimet e vendosura nga institucionet shqiptare.

Sipas tij, pas refuzimit të projektit fillestar, investitorët angazhuan studio ndërkombëtare arkitekturore dhe ekspertë të njohur të inxhinierisë dhe mjedisit për të hartuar një plan të ri zhvillimi.

“Në mars 2026 është paraqitur një projekt krejtësisht i rikonceptuar, me një qasje të ndryshme nga versionet e mëparshme,” tha Rama.

Ai shtoi se Këshilli Kombëtar i Territorit nuk e ka miratuar projektin pa kushte, por ka vendosur kufizime dhe kërkesa shtesë për mbrojtjen e territorit dhe ekosistemit.

“Projekti do të zhvillohet vetëm në prona private me titull pronësie. Laguna nuk preket dhe zhvillimi nuk do të përfshijë marinë. Marina ka qenë pjesë e varianteve të para, por është hequr,” deklaroi kryeministri.

Rama theksoi gjithashtu se studimi i plotë mjedisor ende nuk është përfunduar dhe se procesi i vlerësimit vijon.

Duke iu referuar incidentit me rrethimin e territorit dhe përplasjes mes protestuesve dhe rojeve private, ai tha se kompania përgjegjëse do të ndëshkohet për përdorimin e gardhit me tela me gjemba dhe për sjelljen e papranueshme të kompanisë së sigurisë.

“Për gardhin me tela me gjemba do të ketë gjobë, ndërsa kompania që ushtroi dhunë nuk do të operojë më në Republikën e Shqipërisë,” u shpreh Rama.

Sipas kreut të qeverisë, kushtet e vendosura për projektin synojnë ruajtjen e peizazhit natyror, mbrojtjen e habitateve ekzistuese dhe garantimin e proceseve ekologjike në zonën e Laguna e Nartës, e cila konsiderohet një nga ekosistemet më të rëndësishme bregdetare në vend.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related