Kryeministri Edi Rama deklaroi se administrata shqiptare ka refuzuar versionin e parë të projektit për resortin në Zvërnec, duke kërkuar standarde më të larta zhvillimi dhe mbrojtjeje të interesit publik.
Gjatë prezantimit të qëndrimit të qeverisë për investimin, Rama tha se investitorët kanë angazhuar ekspertë ndërkombëtarë të arkitekturës, inxhinierisë, mjedisit dhe ligjit, ndërsa autoritetet shqiptare kanë ushtruar kontroll të plotë mbi procesin.
“Kemi mbrojtur interesin tuaj, interesin e vendit, dhe kemi bërë detyrën jo vetëm proceduralisht, por edhe profesionalisht dhe patriotikisht,” u shpreh ai.
Sipas kryeministrit, disa pamje dhe materiale që janë publikuar në debatet e fundit nuk i përkasin projektit aktual.
“Projekti i vjetër është rrëzuar nga administrata shqiptare dhe u është kthyer mbrapsht investitorëve. U kemi kërkuar standarde më të larta dhe një projekt më ambicioz,” tha Rama.
Ai theksoi se çështjet e pronësisë janë të ndara nga procesi i zhvillimit të projektit dhe se toka në fjalë figuron e regjistruar prej vitesh në hipotekë.
“Negociatat dhe transaksionet me pronarët janë çështje mes palëve. Ne nuk kemi hyrë dhe nuk kemi pasur interes të hyjmë në ato marrëdhënie,” deklaroi kryeministri.
Rama sqaroi gjithashtu se rrethimi i territorit është kryer mbi bazën e lejes së zhvillimit dhe jo të lejes së ndërtimit, duke e cilësuar këtë si një të drejtë ligjore të pronarëve.
Lidhur me pretendimet për pronësi nga persona të ndryshëm, ai pranoi se ato mund të jenë legjitime, por theksoi se zgjidhja e tyre duhet të bëhet në gjykatë.
“Pretendimet për pronësi janë legjitime, por ato zgjidhen në gjykata. Vendi nuk mund të mbetet i bllokuar pafundësisht nga mosmarrëveshjet mbi titujt e pronësisë dhe proceset e zhvillimit,” tha Rama.
Kryeministri shtoi se ndryshe nga Zvërneci, në projektin e planifikuar në Ishulli i Sazanit shteti shqiptar është përfshirë drejtpërdrejt në negociata, pasi bëhet fjalë për pronë shtetërore ku qeveria synon të mbajë pjesëmarrje në investim.
