Media franceze Le Figaro ka publikuar një artikull investigativ ku ngre dyshime mbi mënyrën e funksionimit të Kolegjit të Europës dhe lidhjet e tij me Shqipërinë, duke përfshirë edhe emrin e ish-zyrtares së lartë të BE-së, Federica Mogherini.
Sipas artikullit, Mogherini është përfshirë në një hetim për korrupsion dhe ka dhënë dorëheqjen nga posti i rektores së Kolegjit të Europës, një institucion që prej dekadash formon elitën administrative të Bashkimit Europian.
Në fokus të raportimit është edhe projekti për hapjen e një kampusi të Kolegjit të Europës në Tiranë, i cili sipas medias franceze është realizuar me mbështetjen e Mogherinit dhe në bashkëpunim me kryeministrin Edi Rama.
Një nga çështjet më të diskutuara lidhet me financimin e projektit. Artikulli thekson se rreth 17 milionë euro të akorduara nga qeveria shqiptare, që fillimisht ishin planifikuar për Universitetin e Tiranës, janë ridrejtuar për ndërtimin e kampusit të Kolegjit të Europës, përmes një marrëveshjeje mes Ramës, Mogherinit dhe ish-kryebashkiakut Erion Veliaj.
Sipas raportimit, projekti ka hasur vonesa dhe ende nuk është përfunduar plotësisht, ndërsa studentët e parë po zhvillojnë mësim në ambientet e universitetit publik në Tiranë.
Artikulli përmend gjithashtu kritika nga opozita shqiptare, e cila ka kërkuar hetime nga institucione europiane si Prokuroria Europiane dhe OLAF, për atë që e cilëson një marrëveshje të paqartë dhe me elementë të mundshëm konflikti interesi.
Në analizën e saj, Le Figaro ngre edhe shqetësime mbi ndikimet ndërkombëtare në këtë institucion, duke e përshkruar si një qendër ku ndërthuren interesa politike, diplomatike dhe ekonomike.
Megjithatë, deri më tani nuk ka një reagim zyrtar nga institucionet shqiptare apo nga vetë Mogherini lidhur me këto pretendime, ndërsa çështja mbetet në nivel raportimesh mediatike dhe hetimesh të papërfunduara.
