Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka reaguar pas incidenteve të regjistruara gjatë protestës në Zvërnec, ku mbeti i lënduar edhe një shtetas me nënshtetësi shqiptare dhe greke, duke shprehur keqardhje për ngjarjen dhe duke theksuar se autoritetet e dy vendeve kanë qenë në komunikim të vazhdueshëm.
Në një deklaratë zyrtare, ministria bëri të ditur se përplasja ndodhi mes një grupi protestuesish dhe punonjësve të një kompanie private sigurie të kontraktuar nga subjekti që po zhvillon punime në zonë.
Sipas reagimit, Policia e Shtetit ka identifikuar dhe arrestuar punonjësin e sigurisë private që dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj protestuesit, ndërsa dy punonjës të tjerë janë proceduar penalisht. Gjithashtu, është nisur një hetim disiplinor për të verifikuar rrethanat e ngjarjes dhe përgjegjësitë institucionale që mund të lidhen me incidentin.
“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme shpreh keqardhjen për situatën e regjistruar në Zvërnec, ku ndodhi një përplasje fizike ndërmjet një grupi protestuesish dhe punonjësve të një shoqërie private sigurie. Mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të njeriut mbeten vlera themelore të demokracisë dhe shtetit të së drejtës në Shqipëri”, thuhet në deklaratë.
Ministria theksoi se autoritetet e Shqipërisë dhe Greqisë kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm në nivele të ndryshme për të ndjekur zhvillimet që lidhen me këtë rast.
Në fund të reagimit, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme riafirmoi angazhimin e Shqipërisë për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve me Greqinë, duke theksuar se bashkëpunimi mes dy vendeve mbështetet në respektin reciprok, dialogun e hapur dhe vlerat e përbashkëta evropiane.
Ngjarjet në Zvërnec kanë nxitur reagime të shumta politike dhe qytetare gjatë ditëve të fundit, ndërsa hetimet për incidentet e regjistruara vijojnë nga autoritetet kompetente.
