Institucioni i Avokatit të Popullit ka vijuar hetimin e nisur kryesisht për ngjarjet e ndodhura në Zvërnec, ku protestues të shumtë denoncuan dhunë dhe ndalime gjatë kundërshtimit të një projekti turistik në zonë.
Sipas një deklarate zyrtare, drejtuesja e Zyrës Rajonale të Avokatit të Popullit qëndroi deri në orët e vona të së shtunës në Komisariatin e Policisë Vlorë, ku zhvilloi verifikime në terren lidhur me gjendjen dhe trajtimin e protestuesve të ndaluar.
Vizita u realizua në kuadër të hetimit të nisur ex officio për të shqyrtuar pretendimet mbi ushtrimin e dhunës ndaj qytetarëve që po ushtronin të drejtën kushtetuese të protestës.
Gjatë qëndrimit në komisariat, përfaqësuesit e Avokatit të Popullit zhvilluan gjithashtu një takim me drejtuesit e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, ku u diskutua mbi procedurat ligjore të ndalimit të qytetarëve dhe respektimin e të drejtave të tyre.
Në vijim të hetimit, Avokati i Popullit ka kërkuar zyrtarisht informacion të detajuar nga Policia e Shtetit lidhur me mënyrën e mbikëqyrjes së veprimtarisë së kompanisë private të sigurisë që operonte në zonën ku po zhvillohej protesta.
Institucioni ka bërë të ditur se do të ndjekë nga afër të gjithë zhvillimet e kësaj çështjeje dhe do të informojë publikun për rezultatet e hetimit dhe masat që mund të rekomandohen në përfundim të tij.
