Dhunimi i protestuesit në Zvërnec, reagon Dhoma e Avokatisë Vlorë: Alarm serioz për funksionimin e shtetit ligjor

Data

Dhoma e Avokatisë Vlorë ka reaguar ashpër pas incidentit të ndodhur në Zvërnec, ku një protestues u dhunua dhe u tërhoq zvarrë nga persona të identifikuar si roje private, duke e cilësuar ngjarjen një alarm serioz për funksionimin e shtetit ligjor në vend.

Në një deklaratë publike, avokatët e Vlorës shprehen se pamjet e bëra publike nuk janë thjesht shqetësuese, por ngrejnë dyshime të forta për shkelje të rënda ligjore dhe kërkojnë reagim të menjëhershëm nga organet e drejtësisë.

Sipas deklaratës, nëse personat e përfshirë nuk kanë qenë funksionarë të ligjshëm që kanë vepruar sipas procedurave ligjore, atëherë ekzistojnë dyshime serioze për vepra penale të rënda. Nga ana tjetër, edhe nëse kanë pasur status zyrtar, duhet të sqarohet nëse veprimet e tyre kanë respektuar kompetencat dhe kufijtë që përcakton ligji.

Dhoma e Avokatisë i drejton disa pyetje publike organeve ligjzbatuese, duke kërkuar të dihet nëse është regjistruar procedim penal, nëse janë identifikuar autorët e dhunës dhe çfarë veprimesh konkrete hetimore janë kryer deri tani.

Në reagim theksohet se mosveprimi institucional në raste të tilla krijon perceptimin se individë të caktuar mund të marrin ligjin në duart e tyre pa pasoja, duke dëmtuar rëndë besimin e qytetarëve te drejtësia dhe institucionet shtetërore.

Avokatët kërkojnë nga organet kompetente identifikimin e menjëhershëm të personave të përfshirë, hetimin e plotë të ngjarjes dhe informimin transparent të opinionit publik mbi ecurinë e procedurave.

Ngjarja në Zvërnec ka shkaktuar reagime të shumta në opinionin publik dhe politik, ndërsa autoritetet kanë njoftuar se një prej rojeve private të përfshira në incident është arrestuar, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave vijojnë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related