Hita jep mesazhin e fortë nga ceremonia e Policisë së Shtetit: Do të godasim pa kompromis armëmbajtjen pa leje dhe krimin e organizuar

Data

Drejtori i Përgjithshëm i Policia e Shtetit, Skënder Hita, ka deklaruar se institucionet ligjzbatuese do të intensifikojnë luftën kundër armëmbajtjes pa leje, krimit të organizuar dhe kërcënimeve që cenojnë sigurinë publike.

Deklarata u bë gjatë ceremonisë së dorëzimit të Qendrës së Çaktivizimit të Armëve të Vogla dhe të Lehta, një investim i realizuar në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë dhe OSBE.

Hita e cilësoi inaugurimin e qendrës si një moment të rëndësishëm për Policinë e Shtetit dhe për sigurinë e qytetarëve, duke theksuar se projekti lidhet drejtpërdrejt me mbrojtjen e jetës dhe sigurisë së brezave të rinj.

Sipas tij, ngritja e kësaj qendre moderne është rezultat i një bashkëpunimi disa vjeçar me partnerët ndërkombëtarë dhe përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt përafrimit të Shqipërisë me standardet e Bashkimit Europian në fushën e sigurisë.

Drejtori i Policisë theksoi se lufta kundër armëve të paligjshme mbetet një nga prioritetet kryesore të institucionit, ndërsa paralajmëroi vijimin e operacioneve dhe masave parandaluese kundër çdo forme kriminaliteti që rrezikon rendin dhe sigurinë publike.

Ai nënvizoi gjithashtu rëndësinë e fushatave ndërgjegjësuese me të rinjtë dhe komunitetin, të cilat synojnë parandalimin e përdorimit dhe mbajtjes së armëve, veçanërisht në ambientet shkollore.

Në përfundim, Hita garantoi se Policia e Shtetit do të vijojë bashkëpunimin e ngushtë me partnerët ndërkombëtarë për të përballuar sfidat e sigurisë dhe për të forcuar luftën kundër krimit të organizuar, me synimin për të rritur standardet e sigurisë në Shqipëri dhe në rajon.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related