Media europiane ngre alarmin: Zonat e mbrojtura dhe bregdeti shqiptar po privatizohen për resortet e luksit

Data

Një analizë e publikuar nga media europiane EUobserver ngre shqetësime të forta për mënyrën se si po zhvillohen investimet turistike në Shqipëri, duke paralajmëruar se zonat e mbrojtura dhe hapësirat natyrore po hapen gjithnjë e më shumë për projekte luksoze dhe investitorë të huaj.

Në qendër të kritikave janë projektet e propozuara në Ishulli i Sazanit, Laguna e Nartës dhe Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta, të cilat sipas autorëve rrezikojnë ekosisteme të rëndësishme dhe habitate të mbrojtura.

Artikulli kritikon argumentin se këto territore nuk janë përdorur nga qytetarët dhe për këtë arsye mund të shfrytëzohen për zhvillim ekonomik. Sipas autorëve, natyra nuk mund të konsiderohet si një pronë e papërdorur që pret të kthehet në biznes.

“Një pyll nuk ka nevojë të bëhet resort për të justifikuar ekzistencën e tij. Një lagunë nuk ka nevojë për vila apo bare plazhi për të pasur vlerë”, thuhet në analizë.

Sipas EUobserver, projekti i lidhur me Jared Kushner në Sazan mund të cenojë habitate të ndjeshme detare dhe specie të mbrojtura, ndërsa ndërhyrjet në zonat e Nartës dhe Divjakë-Karavastas rrezikojnë korridoret migratore të shpendëve dhe biodiversitetin unik të Mesdheut.

Media europiane ngre gjithashtu pikëpyetje mbi transparencën e procedurave, vlerësimet mjedisore dhe respektimin e standardeve europiane për mbrojtjen e natyrës. Sipas analizës, organizatat mjedisore kanë raportuar ndërhyrje në zona të mbrojtura pa konsultim të mjaftueshëm publik dhe me dyshime për mungesë të procedurave të plota ligjore.

Artikulli e lidh këtë debat edhe me procesin e integrimit europian të Shqipërisë, duke theksuar se mbrojtja e mjedisit dhe zbatimi i standardeve të rrjetit Natura 2000 mbeten pjesë kyçe e negociatave me Bashkimin Europian.

Ndërkohë, Komisioni Europian ka deklaruar se po monitoron nga afër zhvillimet në zonat e mbrojtura, veçanërisht në Pishë Poro-Nartë, duke e konsideruar këtë një test të rëndësishëm për angazhimet mjedisore të Shqipërisë.

Në përfundim, EUobserver argumenton se modeli aktual i zhvillimit turistik favorizon kryesisht investitorët e mëdhenj dhe turizmin elitist, ndërsa qytetarët shqiptarë rrezikojnë të humbasin aksesin në hapësira publike dhe natyrore që për dekada kanë qenë pasuri e përbashkët.

Sipas medias europiane, debati nuk lidhet vetëm me mbrojtjen e mjedisit, por edhe me çështje sociale dhe demokratike, pasi “asnjë resort luksoz nuk mund të zëvendësojë një ekosistem të humbur”.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related