Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka zbuluar detaje nga Kuvendi Kombëtar i PD-së që do të zhvillohet nesër, duke e cilësuar atë si një moment të rëndësishëm për të ardhmen politike të forcës më të madhe opozitare.
I ftuar në një studio televizive, Këlliçi deklaroi se në këtë mbledhje drejtuesit e PD-së, së bashku me kryetarin Sali Berisha, do të prezantojnë programin qeverisës dhe vizionin e partisë për qeverisjen e vendit.
Sipas tij, qytetarët do të njihen me ekipin dhe alternativën që Partia Demokratike synon të ofrojë përballë mazhorancës aktuale.
“Nesër drejtuesit e PD-së dhe kryetari Sali Berisha kanë për detyrë të shpalosin programin qeverisës të Partisë Demokratike dhe të bëjnë me dije qytetarëve se kush është ekipi dhe fytyra e PD-së si një alternativë më e mirë dhe më e besueshme për qeverisjen e vendit”, u shpreh Këlliçi.
Ai bëri të ditur se Kuvendi do të përmbyllet me zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Këshillit Kombëtar, i cili këtë herë do të përbëhet nga 200 anëtarë, numri më i madh në historinë e partisë. Sipas Këlliçit, është rritur përfaqësimi i grave, vajzave dhe diasporës në strukturën më të lartë vendimmarrëse të PD-së mes dy kuvendeve.
Pas përfundimit të procesit të votimit dhe numërimit të votave, brenda një jave pritet të zhvillohen zgjedhjet për organet drejtuese të partisë, përfshirë Kryesinë, nënkryetarët dhe sekretariatet.
Këlliçi theksoi se opozita do të vijojë angazhimin e saj politik për zgjedhje të lira dhe të ndershme, duke ritheksuar kërkesën e PD-së për një qeveri teknike.
“Beteja jonë për zgjedhje të ndershme dhe qeveri teknike nuk ndryshon dhe do të vazhdojë edhe në vijim”, deklaroi deputeti demokrat.
