Detaje të reja kanë dalë nga dosja e Prokurorisë së Posaçme për grupin kriminal të lidhur me Igli Kamberi, ku hetuesit kanë dokumentuar një skemë të sofistikuar të transportimit të shumave të mëdha të parave që dyshohet se vinin nga trafiku ndërkombëtar i lëndëve narkotike.
Sipas materialeve hetimore, paratë transportoheshin përmes shoferëve të kamionëve dhe mjeteve të transportit ndërkombëtar, me qëllim shmangien e kontrolleve dhe fshehjen e origjinës së tyre. Hetuesit kanë konstatuar se grupi mbështetej në një rrjet bashkëpunëtorësh të cilët përfitonin pagesa për transportimin e shumave monetare.
Një nga episodet kyçe të dokumentuara në dosje lidhet me datën 22 tetor 2024, kur shtetasja italiane Annamaria Lamia Caputo dorëzoi dy çanta me rroba të përdorura, brenda të cilave dyshohet se ishin fshehur shuma të konsiderueshme parash cash. Çantat iu dorëzuan shoferit shqiptar të kamionit, Sokol Fusha.
Hetimi është mbështetur në përgjime audio, vëzhgime video dhe gjurmim GPS të automjeteve të përfshira. Një nga bisedat e regjistruara nga autoritetet ka tërhequr vëmendjen e hetuesve, kur një person i përfshirë në operacion i thotë bashkëpunëtores së tij: “Kur të arrijmë atje, le të bëjmë sikur nuk njihemi”, një frazë që sipas prokurorëve tregon nivelin e organizimit dhe masat e marra për të shmangur identifikimin.
Sipas dosjes, koordinimi i lëvizjeve kryhej nga Ergys Kastrati, i cili komunikonte me personat e përfshirë përmes mesazheve zanore dhe jepte udhëzime për vendtakimet dhe mjetet që do të përdoreshin për transportin e parave.
Pamjet e siguruara nga kamerat e sigurisë në një pikë karburanti pranë Barit, në Itali, kanë dokumentuar takimet mes të dyshuarve dhe lëvizjen e automjeteve të përdorura në operacion. Në vendngjarje është identifikuar edhe një automjet Audi A4, që sipas hetuesve lidhet me persona të afërt të grupit kriminal.
Autoritetet shqiptare dhe italiane dyshojnë se bëhet fjalë për një rrjet të mirëorganizuar të pastrimit të parave, ku fitimet nga trafiku i drogës transferoheshin në mënyrë të fshehtë përmes transportit rrugor ndërkombëtar.
Shënim: Të gjithë personat e përmendur në dosje prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të provohet me vendim gjyqësor të formës së prerë.
