Sekretari i Përgjithshëm i NATO, Mark Rutte, ka reaguar pas raportimeve për një incident të rëndë në Romania, ku një dron rus dyshohet se goditi një ndërtesë banimi në qytetin Galați, pranë kufirit me Ukrainën.
Sipas autoriteteve rumune, goditja shkaktoi zjarr në katin e dhjetë të një pallati dhe la të plagosur dy persona. Ngjarja ka ngritur shqetësime për sigurinë në kufijtë lindorë të Aleancës, në një kohë kur lufta në Ukrainë vazhdon të prodhojë tensione në rajon.
Presidenti i Rumanisë, Nicușor Dan, e cilësoi incidentin si ngjarjen më serioze që ka prekur territorin rumun që nga fillimi i agresionit rus kundër Ukrainës, duke thirrur menjëherë Këshillin Suprem të Mbrojtjes Kombëtare për të vlerësuar situatën.
Në reagimin e tij, Rutte dënoi atë që e quajti “sjellje të pamatur” të Rusisë dhe theksoi se sulmet që prekin zonat pranë kufijve të NATO-s paraqesin rrezik për sigurinë rajonale.
“Rusia vazhdon të sulmojë civilët dhe infrastrukturën civile në të gjithë Ukrainën dhe ka treguar edhe një herë se pasojat e luftës së saj nuk ndalen në kufi”, deklaroi ai.
Kreu i NATO-s siguroi autoritetet rumune se Aleanca mbetet e gatshme të mbrojë çdo pjesë të territorit të vendeve anëtare dhe nënvizoi se mbështetja për Ukrainën do të vazhdojë.
Ngjarja vjen në një moment të ndjeshëm për sigurinë europiane, ndërsa vendet e NATO-s po forcojnë kapacitetet e mbrojtjes ajrore përgjatë krahut lindor të Aleancës përballë kërcënimeve që lidhen me luftën në Ukrainë.
