Procesi ndaj Veliajt, ish-prokurori Karanxha: Kushtetuesja konstatoi dy shkelje! Romeo Kara: Nasta dhe Nesti duhet të dilnin me fytyrë

Data

Ish-prokurori Ervin Karanxha deklaroi se Gjykata Kushtetuese ka konstatuar dy shkelje në procesin ndaj kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj: përdorimin e kafazit të xhamit gjatë seancave gjyqësore dhe arsyetimin e masës së sigurisë “arrest me burg”.

Sipas Karanxhës, Gjykata Kushtetuese ka kërkuar që gjykatat të justifikojnë qartë pse masat më të lehta të sigurisë konsiderohen të papërshtatshme.

“Në lidhje me prezumimin e pafajësisë dhe qëndrimin e tij në kafaz, kufizimi i komunikimit me mbrojtësit përbën shkelje të parimit të prezumimit të pafajësisë”, u shpreh ai.

Ish-prokurori theksoi gjithashtu se Erion Veliaj vijon të jetë juridikisht kryetar i Bashkisë së Tiranës, por në praktikë nuk e ushtron dot funksionin, gjë që sipas tij bie ndesh me vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

“Sot Veliaj juridikisht është kryetar i Bashkisë së Tiranës, por de facto nuk e ushtron këtë detyrë”, deklaroi Karanxha, duke paralajmëruar se çështja mund të përfundojë në Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut.

Nga ana tjetër, juristi Romeo Kara komentoi figurat e kallëzuesve anonimë të njohur si “Nesti Angoni” dhe “Nasta Pëllumbi”, duke i cilësuar si elementin më problematik të çështjes.

Sipas tij, personat që bëjnë kallëzime duhet të identifikohen publikisht dhe të mbajnë përgjegjësi për akuzat e ngritura.

“Ne duhet të dimë tani kush është Nasta dhe Nesti. Ata që kanë bërë kallëzimin duhet të dalin me fytyrë”, tha Romeo Kara.

Ai shtoi se në rast se provohet një kallëzim i rremë, do të jetë e vështirë të identifikohen autorët realë pas pseudonimeve.

Juristi ngriti gjithashtu dyshime se sulmi ndaj Erion Veliaj mund të ketë ardhur nga brenda Partia Socialiste, ndërsa u shpreh se masa më e përshtatshme ndaj kryebashkiakut do të ishte “arresti shtëpiak” gjatë vijimit të hetimeve.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related