Skandali i dyshuar financiar në Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit vijon të thellohet, ndërsa kompania “Soft Solution”, në pronësi të biznesmenit Ermal Beqiri, rezulton të ketë përfituar pagesa të konsiderueshme nga fondet publike edhe pse ai është shpallur në kërkim nga SPAK.
Sipas të dhënave të publikuara, gjatë muajit maj 2026 kompania “Soft Solution” ka marrë rreth 90 milionë lekë të vjetra, ose afro 100 mijë euro, nga institucione shtetërore.
Pagesat kryesore janë kryer nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, e cila më 19 maj ka realizuar tre transferta të ndara për kompaninë, secila në vlerën rreth 30 mijë euro.
Gjithashtu, kompania është paguar edhe nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura me të paktën dy pagesa të tjera që arrijnë në total rreth 10 mijë euro.
Ermal Beqiri është nën hetim nga SPAK për akuzën e “grupit të strukturuar kriminal”, në kuadër të një dosjeje që lidhet me manipulimin e tenderave të zhvilluar nga AKSHI.
Në hetim janë përfshirë edhe ish-drejtoresha e AKSHI-t Mirlinda Karçanaj, zëvendësja e saj Hava Delibashi, si dhe biznesmeni Ergys Agasi.
Ish-drejtoresha Mirlinda Karçanaj fillimisht u vendos në “arrest shtëpie”, por më pas masa u ndryshua nga Gjykata e Lartë.
Ndërkohë, kryeministri Edi Rama e ka mbrojtur publikisht Karçanajn, duke e cilësuar atë si një zyrtare model. Megjithatë, sipas deklarimeve të pasurisë, ajo rezulton pronare e të paktën katër apartamenteve.
