“Der Standard”: “Diella” e Ramës u prezantua si armë kundër korrupsionit, por përfundoi në qendër të skandalit të AKSHI-t

Data

Media austriake  Der Standard i ka kushtuar një artikull të gjatë skandalit të Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) dhe projektit “Diella”, boti i inteligjencës artificiale i prezantuar nga kryeministri Edi Rama si “ministrja” që do të luftonte korrupsionin në tenderat publikë.

Sipas artikullit, “Diella” u prezantua në shtator të vitit të kaluar si pjesë e kabinetit qeveritar dhe kishte për detyrë mbikëqyrjen e procedurave të prokurimit publik për t’i bërë ato “100 për qind të pakorruptueshme dhe të gjurmueshme”.

Megjithatë, sot krijuesit e saj po përballen me hetime penale dhe akuza për korrupsion.

“Diella” ishte zhvilluar nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, institucion që varet drejtpërdrejt nga zyra e kryeministrit. Në artikull kujtohet edhe deklarata ironike e Ramës në prezantimin e saj:

“Diella nuk ka kushërinj, sepse kushërinjtë janë një problem i madh në Shqipëri.”

Gazeta shkruan se, pavarësisht fasadës teknologjike, kontrolli mbi sistemin mbeti politik. Vetë Rama e kishte quajtur “vajza ime” dhe kishte deklaruar se ajo ishte “shumë besnike ndaj babait të saj”.

Ish-drejtori i  Transparency International Albania, Lutfi Dervishi, citohet në artikull duke deklaruar se “Diella” vetëm sa “fsheh korrupsionin e vjetër pas një softueri të ri”.

Ndërkohë, opozita shqiptare e ka cilësuar projektin si një “fantazi propagandistike”. Kreu i grupit parlamentar të Partia Demokratike e Shqipërisë, Gazment Bardhi, e ka quajtur “fasadë virtuale për të fshehur vjedhjet gjigante të qeverisë”.

Artikulli thekson se ndaj drejtuesve të AKSHI-t janë ngritur akuza për favorizim tenderash ndaj kompanive të lidhura me pushtetin. Sipas raportimeve të përmendura nga media austriake, hetimet përfshijnë edhe pretendime për kërcënime, frikësime dhe pengmarrje për të eliminuar konkurrentët nga garat publike.

Një tjetër çështje gjyqësore lidhet me aktoren Anila Bisha, e cila pretendon se fytyra dhe zëri i saj janë përdorur pa autorizim për krijimin e avatarit të “Diellës”. Ajo ka paditur qeverinë, duke deklaruar se kontrata e saj vlente vetëm për chatbot-in e platformës E-Albania dhe jo për përdorimin si “ministre AI”.

Nga ana tjetër, qeveria shqiptare ka mohuar akuzat, ndërsa Rama ka mbrojtur punën e AKSHI-t duke deklaruar se digjitalizimi ka kursyer qytetarëve miliona euro dhe vite pritjeje në administratë.

Sipas “Der Standard”, e ardhmja e “Diellës” tashmë do të varet nga vendimet e proceseve gjyqësore që po zhvillohen në Shqipëri.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related