Bledian Koka: Mungesa e një “neni Salianji” tregon se konflikti në PD nuk ka qenë personal, pajtimi mbetet i mundur

Data

Gazetari Bledian Koka ka komentuar zhvillimet e fundit në Partia Demokratike e Shqipërisë dhe debatet për ndryshimet statutore, duke deklaruar se mungesa e një “neni Salianji” në statut lë të hapur mundësinë e pajtimit mes Ervin Salianji dhe Sali Berisha.

I ftuar në një emision televiziv, Koka tha se fakti që në statut nuk është parashikuar një dispozitë e posaçme kundër Salianjit tregon se konflikti nuk ka qenë thjesht personal.

“Lajmi i mirë është që nuk ka një nen Salianji, sepse për mua kjo do të ishte problem. Kjo do ta vinte Partinë Demokratike nën akuzë që gjithë betejën kundër Salianjit e bëri personale”, deklaroi ai.

Sipas gazetarit, përplasja mes palëve ka kaluar edhe nëpër negociata të brendshme, ndërsa nuk përjashtohet rikthimi i marrëdhënieve politike mes tyre.

“Ata që ishin pjesë e konfliktit, sot janë zënë, nesër mund të pajtohen prapë. Partia Demokratike ka treguar këtë gjë”, u shpreh Koka.

Ai komentoi edhe krijimin e një komisioni vlerësimi për kandidaturat në PD, duke e konsideruar një mekanizëm të nevojshëm për të filtruar figurat që synojnë poste drejtuese.

“Duhet të ketë një mekanizëm merite dhe kontributesh. Jo kushdo që vjen në Partinë Demokratike të garojë menjëherë për kryetar partie”, tha gazetari.

Koka ngriti gjithashtu shqetësime për zgjerimin e Këshillit Kombëtar nga 150 në 200 anëtarë, ndonëse sipas tij argumenti zyrtar lidhet me përfshirjen më të madhe të diasporës, forumeve dhe organizatave partnere.

Në analizën e tij, ai theksoi se sfida kryesore për PD-në mbetet qartësimi i vizionit politik dhe ndërtimi i një opozite funksionale.

“Partia Demokratike është në kohën që të fillojë sqarimin e disa gjërave që për anëtarësinë dhe për ata që presin zgjidhje nga opozita të jenë më të qarta”, përfundoi Koka.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related