Jorida Tabaku propozon mekanizëm bashkëpunimi me Kongresin Amerikan: Korrupsioni sot është çështje sigurie kombëtare

Data

Deputetja e Partia Demokratike e Shqipërisë, Jorida Tabaku, ka propozuar krijimin e një mekanizmi të përhershëm bashkëpunimi mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Kongresit Amerikan, me fokus sigurinë ekonomike, energjinë, teknologjinë dhe investimet strategjike.

Deklaratat u bënë gjatë Forumit të Sigurisë të zhvilluar në Tiranë, ku morën pjesë kongresmenë amerikanë, eurodeputetë dhe parlamentarë nga rajoni.

Në fjalën e saj, Tabaku theksoi se Ballkani Perëndimor nuk shihet më vetëm si një hapësirë demokratizimi, por si një rajon me rëndësi strategjike për energjinë, infrastrukturën, teknologjinë dhe ndikimin gjeopolitik.

Sipas saj, korrupsioni dhe dobësia institucionale nuk janë më vetëm probleme të brendshme politike, por përbëjnë rrezik të drejtpërdrejtë për sigurinë kombëtare.

“Sot korrupsioni nuk është më vetëm problem i qeverisjes së brendshme. Është çështje sigurie kombëtare. Prokurimet e errëta nuk janë më vetëm administrim i dobët, por porta hyrëse për ndikim malinj dhe depërtim strategjik”, deklaroi Tabaku.

Ajo u ndal edhe te rëndësia strategjike e infrastrukturës dhe energjisë, duke theksuar se portet, telekomunikacioni dhe rrjetet dixhitale tashmë konsiderohen pjesë e sigurisë kombëtare.

“Korridori VIII nuk është thjesht një projekt transporti. Ai është një korridor gjeopolitik që lidh Adriatikun me Detin e Zi”, tha deputetja demokrate.

Tabaku bëri të ditur gjithashtu se ka propozuar në Parlament një ligj për kontrollin dhe filtrimin e investimeve strategjike, të harmonizuar me standardet e Bashkimi Europian dhe pritshmëritë e partnerëve amerikanë.

Sipas saj, Shqipëria duhet të shmangë “naivitetin strategjik” dhe të ndërtojë mekanizma mbrojtës ndaj kapitalit të errët dhe ndikimeve armiqësore.

“Shqipëria nuk mund të përballojë naivitet strategjik”, deklaroi ajo.

Në fund të fjalës së saj, Tabaku ngriti nevojën për një partneritet më të thellë ekonomik dhe strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke propozuar ngritjen e një strukture bipartizane parlamentare mes Shqipërisë dhe Kongresit Amerikan për bashkëpunim afatgjatë në fushat e sigurisë, teknologjisë, energjisë dhe mbrojtjes.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related