Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi vendimin e Gjykata e Posaçme e Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për Emiljano Shullazi dhe grupin e tij, duke rrëzuar rekursin e paraqitur nga të dënuarit.
Vendimi është marrë në dhomë këshillimi nga gjyqtarët Ilir Panda, Genti Shala dhe Enton Dhimitri, të cilët kanë konfirmuar dënimet e dhëna për pesë të akuzuarit, me total prej 55 vitesh burg.
Bëhet fjalë për dosjen ku Shullazi dhe bashkëpunëtorët e tij u shpallën fajtorë për gjobëvënie dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
Sipas vendimit të formës së prerë, Emiljano Shullazi është dënuar me 14 vite burg, ndërsa Endrit Qyqja dhe Endrit Zela me nga 10 vite burg secili. Blerim Shullazi është dënuar me 9 vite burg.
Ndërkohë, për Gilmando Dani, i dënuar më parë me 12 vite burg, Gjykata e Lartë ka vendosur mospranimin e rekursit për shkak se ai ka ndërruar jetë.
Gilmando Dani u ekzekutua në një atentat mafioz në nëntor të vitit 2025 pranë rrethrrotullimit të Rinasit, së bashku me agjentin e AMP-së, Mustafa Sheqeri.
Aktualisht, Emiljano Shullazi vijon të mbahet në paraburgim edhe për dy dosje të tjera të Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Njëra lidhet me operacionin “Asgjë nuk harrohet”, për vrasjet e Vajdin Lames dhe Klodian Saliut në vitin 2005, ndërsa tjetra me operacionin “Revanshi”, ku ai akuzohet për sigurim kushtesh për kryerje vrasjeje dhe pjesëmarrje në grup kriminal.
