Dalin detaje tronditëse nga dosja e SPAK për lobimet e LSI në SHBA, zbardhen transfertat sekrete dhe lidhjet e Adrian Shatkut me Metën e Kryemadhin

Data

Detaje të reja kanë dalë nga dosja hetimore e SPAK mbi financimet dhe kontratat e lobimit të ish-Lëvizja Socialiste për Integrim në Shtetet e Bashkuara, ku në qendër të hetimeve janë ish-presidenti Ilir Meta dhe bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi.

Sipas materialeve hetimore, një pjesë e pagesave për kompanitë amerikane të lobimit nuk janë kryer nga llogaritë zyrtare të LSI-së, por nga kompania amerikane “UNIFI Communication Inc”, e lidhur me biznesmenin shqiptaro-amerikan Adrian Shatku, i përshkruar në dosje si person i afërt me Metën dhe kushëri i Kryemadhit.

Nga dokumentet bankare të administruara nga SPAK rezulton se:

  • më 10 shkurt 2016, LSI transferoi 30 mijë dollarë drejt kompanisë “Global Security & Intelligence Strategies”;
  • më 21 mars 2016 u krye një tjetër pagesë prej 30 mijë dollarësh;
  • ndërsa më 24 qershor 2016 u transferuan 33,761 dollarë për shpenzime udhëtimi dhe aktivitetesh në Uashington.

Por hetimi ngre dyshime se pjesa më e madhe e faturave të lobimit është mbuluar nga UNIFI Communication Inc.

Sipas SPAK, kompania e Adrian Shatkut ka paguar rreth 369,783 dollarë në favor të kompanisë amerikane të lobimit GSIS, nga të cilat 279,783 dollarë “vërtetohen përtej çdo dyshimi” si pagesa për faturat e LSI-së.

Në total, sipas dokumenteve të administruara nga autoritetet amerikane, LSI rezulton të jetë faturuar me mbi 589 mijë dollarë, ndërsa pranë institucioneve shqiptare janë deklaruar vetëm rreth 93 mijë dollarë pagesa zyrtare.

Dosja përmend gjithashtu kontratat me kompaninë amerikane “McKeon Group”, ku klientë figuronin Ilir Meta dhe LSI. Sipas hetimit, kontrata kishte si objekt organizimin e takimeve në Uashington dhe pjesëmarrjen në ceremoninë e inaugurimit të Donald Trump në vitin 2017.

SPAK ka administruar edhe të dhëna për transferta të tjera të kryera nga UNIFI Communication Inc drejt kompanisë “JPM Strategic Solution LLC”, që sipas hetimit lidhen me konsulencë politike për LSI-në dhe aktivitet të zyrtarëve amerikanë në Shqipëri.

Në dosje përmendet edhe emri i John Moreira, i cili sipas SPAK ka kryer aktivitet këshillues për LSI-në dhe zyrtarë të lidhur me këtë forcë politike. Në telefonin e Monika Kryemadhit janë gjetur komunikime ku Adrian Shatku diskuton për sjelljen e Moreirës në Tiranë për interesa të LSI-së.

Hetimi përfshin gjithashtu pagesa hotelesh, aktivitete politike dhe shpenzime të tjera të kryera në Shqipëri nga persona dhe kompani të lidhura me rrjetin e dyshuar të financimeve.

Sipas SPAK, skema krijon dyshime të forta se një pjesë e aktivitetit të lobimit politik në SHBA është financuar përmes burimeve të padeklaruara dhe interesave private ekonomike, në këmbim të ndikimit politik dhe përfitimeve të tjera në Shqipëri.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related