Komisionerja Marta Kos vlerëson progresin e Shqipërisë në BE: SPAK është kthyer në institucionin më të besuar në vend

Data

Komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos, deklaroi gjatë Konferencës së 8-të Ndërqeveritare Shqipëri-BE se Shqipëria ka bërë progres të rëndësishëm në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimi Europian.

Në fjalën e saj, Kos vlerësoi reformën në drejtësi dhe ngritjen e institucioneve të reja, duke theksuar veçanërisht rolin e SPAK.

“Puna juaj e 10 viteve ka qenë e suksesshme. Janë hedhur hapa në mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Ngritja e institucioneve të reja të drejtësisë ka frenuar ndërhyrjen e politikës në sistemin gjyqësor. SPAK ka vërtetuar se mund të japë rezultate dhe të bëhet institucioni më i besuar në Shqipëri”, u shpreh ajo.

Sipas komisioneres europiane, arritja e objektivave të ndërmjetëm hap tashmë një fazë të re të negociatave mes Shqipërisë dhe BE-së, duke i dhënë mundësi vendit të ecë përpara me mbylljen e kapitujve negociues.

Marta Kos theksoi gjithashtu se Bashkimi Europian do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë me synimin që negociatat të mbyllen deri në vitin 2027.

“Ky është momenti për të kremtuar dhe intensifikuar punën. Ne vijojmë të mbështesim punën e Shqipërisë për mbylljen e negociatave në vitin 2027. Pritet progres i mëtejshëm”, deklaroi ajo.

Komisionerja europiane shtoi se procesi i integrimit kërkon angazhim të të gjitha forcave politike dhe të shoqërisë civile, ndërsa kujtoi mbështetjen e lartë të qytetarëve shqiptarë për anëtarësimin në BE.

“Më shumë se 90% e shqiptarëve mbështesin anëtarësimin në BE. Është koha të përmbushim pritshmëritë e tyre”, përfundoi Kos.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related