Dokumentet hetimore të SPAK hedhin dritë mbi atë që prokurorët e konsiderojnë një skemë përfitimi financiar mes familjes Ilir Meta-Monika Kryemadhi dhe biznesmenit shqiptaro-amerikan Adrian Shatku, në lidhje me aktivitetin e interkoneksionit telefonik.
Sipas dosjes hetimore, nga këqyrja e telefonit të Monika Kryemadhit janë zbuluar komunikime dhe tabela financiare që, sipas SPAK, tregojnë interesim të drejtpërdrejtë për të ardhurat, fitimet dhe ndarjen e përqindjeve nga trafiku telefonik ndërkombëtar.
Në një komunikim të datës 1 nëntor 2014, Kryemadhi pyet Adrian Shatkun për numrin e minutave të realizuara gjatë muajit shtator, duke kërkuar “ballafaqim” të shifrave.
Më pas, sipas dosjes, Shatku i dërgon të dhëna mbi 768,319 minuta trafik telefonik, ndërsa në komunikime përmenden Vodafone Albania, kompania Info Telecom dhe biznesmeni Theodhori Çami.
Prokuroria pretendon se përdorimi i termave si “ne” dhe diskutimet mbi fitimet tregojnë përfshirje të drejtpërdrejtë të Kryemadhit në aktivitetin ekonomik të kompanisë UNIFI Holdings.
Në një nga mesazhet e administruara në dosje, Adrian Shatku paraqet ndarjen e përqindjeve:
- M = 32.85%
- Dhori = 50.78%
- UNIFI = 16.42%
Sipas SPAK, komunikimet shoqërohen edhe me të dhëna të detajuara financiare për të ardhurat bruto dhe neto nga trafiku telefonik ndërkombëtar.
Hetuesit pretendojnë se për muajin shtator 2014 rezultojnë:
- 768,319 minuta të terminuara
- 145,980 euro të ardhura bruto
- mbi 102 mijë euro fitim neto
Sipas prokurorisë, këto shifra përputhen me faturimet zyrtare të Vodafone Albania ndaj UNIFI Holdings.
Dosja përmend gjithashtu ndarje fitimesh edhe për muajt korrik dhe gusht 2014. Sipas përllogaritjeve të SPAK, Monika Kryemadhi dyshohet se ka përfituar rreth 69 mijë euro vetëm nga këto dy muaj.
Në komunikime të tjera të administruara nga hetuesit, Theodhori Çami i dërgon Kryemadhit të dhëna mbi minutat e trafikut, kostot dhe fitimet mujore, të cilat sipas SPAK përputhen me faturat zyrtare të operatorëve telefonikë.
Prokuroria pretendon se Monika Kryemadhi ka ndikuar pranë ish-drejtuesve të Vodafone Albania, si dhe pranë zyrtarëve të Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, për funksionimin e marrëveshjeve të interkoneksionit.
Në të njëjtën dosje përmenden edhe përfitime të tjera të dyshuara, përfshirë pagesa udhëtimesh, akomodime jashtë vendit, blerje luksi dhe përdorimin e një karte bankare AMEX Centurion të lidhur me Adrian Shatkun.
Sipas dokumenteve të administruara nga autoritetet amerikane, shpenzimet e kryera me këtë kartë gjatë viteve 2014–2017 arrijnë në mbi 234 mijë dollarë.
