Ish-ministri Ilir Beqaj i është drejtuar me një letër zyrtare Gjykata e Lartë e Shqipërisë, duke kërkuar rishikimin e vendimit unifikues nr. 5 të vitit 2003, që përcakton kriteret orientuese për “pasojën e rëndë” në rastet e vjedhjes dhe veprave të tjera me natyrë pasurore.
Në letrën drejtuar anëtarëve të Gjykatës së Lartë, Beqaj argumenton se kufijtë aktualë prej 1 milion lekësh për individët dhe 2 milionë lekësh për personat juridikë nuk përputhen më me realitetin ekonomik të vitit 2026.
Sipas tij, vetë vendimi i vitit 2003 ishte bazuar mbi zhvillimin ekonomik të kohës, ndërsa sot pagat, të ardhurat dhe inflacioni kanë ndryshuar ndjeshëm.
“Një shumë që në vitin 2003 përfaqësonte një nivel të caktuar rëndese ekonomike, sot nuk përfaqëson domosdoshmërisht të njëjtën rëndesë”, shkruan Beqaj në argumentimin e tij.
Ai thekson se praktika gjyqësore po i përdor këto kufij si standarde fikse dhe automatike, jo vetëm për nenin 134 të Kodit Penal që lidhet me vjedhjen, por edhe për vepra të tjera penale me karakter pasuror.
Sipas ish-ministrit, qytetarët po përballen me pasoja më të rënda penale mbi bazën e kritereve ekonomike të para 23 viteve, çka sipas tij cenon proporcionalitetin dhe sigurinë juridike.
Në letër, Ilir Beqaj propozon gjithashtu krijimin e një mekanizmi automatik për përditësimin periodik të këtyre kufijve, duke i lidhur ato me tregues si paga minimale, paga mesatare ose inflacioni.
Ai argumenton se një sistem i tillë do të sillte më shumë parashikueshmëri për qytetarët dhe më shumë njëtrajtshmëri në praktikën gjyqësore.
Beqaj përmend edhe ndryshimet e fundit në Kodin Penal, përfshirë nenin 143/a/8 mbi mashtrimin në dëm të interesave financiare të Bashkimit Europian, ku ligjvënësi ka vendosur pragun prej 50 mijë eurosh si element rëndues.
Sipas tij, ky zhvillim tregon nevojën për një qasje më të përditësuar dhe më koherente në përcaktimin e “pasojës së rëndë” në veprat penale me natyrë pasurore.
Në përfundim të letrës, ai kërkon që Gjykata e Lartë e Shqipërisë të vërë në lëvizje Kolegjet e Bashkuara për të miratuar një vendim të ri unifikues që pasqyron realitetin ekonomik të vitit 2026.
