Forcat e Mbrojtjes të Izraelit kanë lëshuar një urdhër urgjent evakuimi për banorët e 10 qyteteve dhe fshatrave në jug dhe lindje të Liban, duke paralajmëruar operacione të afërta ushtarake kundër objektivave të dyshuara të Hezbollah.
Sipas deklaratës së zëdhënësit ushtarak në gjuhën arabe, kolonel Avichay Adraee, banorëve u është kërkuar të largohen menjëherë dhe të zhvendosen të paktën 1 kilometër larg zonave të tyre.
Urdhri përfshin zonat:
- Machghara
- Deir ez-Zahrani
- al-Sharqiyah
- Doueir
- Qlailah
- Sohmor
- Zibdin
- Nabatieh at-Tahta
- Arab Salim
- Kfar Jouz
Sipas ushtrisë izraelite, sulmet synojnë infrastrukturë të lidhur me Hezbollahun, megjithëse nuk janë dhënë detaje të tjera për natyrën apo kohën e saktë të operacioneve.
Zhvillimi vjen në një periudhë tensionesh të larta në rajon, ndërsa përplasjet mes Izraelit dhe Hezbollahut kanë vazhduar në kufirin libanez gjatë muajve të fundit, duke shtuar frikën për një përshkallëzim më të gjerë të konfliktit në Lindjen e Mesme.
