Kryetari i Partia Demokratike, Sali Berisha, i është përgjigjur deklaratave të kryeministrit Edi Rama lidhur me raportin e IBAR-it dhe procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
Në reagimin e tij, Berisha akuzon Ramën për manipulim të opinionit publik dhe pretendon se raporti i miratuar më 21 maj pasqyron problematikat që opozita ka denoncuar prej kohësh për korrupsionin, zgjedhjet dhe funksionimin e institucioneve në vend.
Sipas kreut të demokratëve, opozita nuk ka ndikuar në hartimin e raportit, por përfaqësuesit europianë kanë konstatuar vetë situatën reale në Shqipëri.
“Është mashtrim dy metra i gjatë të thuhet se protestat u bënë për IBAR-in. Protestat nisën që në dhjetor, kur Edi Rama mori në mbrojtje Belinda Ballukun për të mbrojtur veten e tij”, deklaroi Berisha.
Ai shtoi se raporti i IBAR-it, sipas interpretimit të opozitës, rrëzon pretendimet e qeverisë për progres të plotë në standardet europiane dhe evidenton shqetësime serioze që lidhen me korrupsionin dhe shtetin ligjor.
Debati mes mazhorancës dhe opozitës për raportin e IBAR-it është përshkallëzuar ditët e fundit, pasi qeveria e konsideron miratimin e tij si një sukses në rrugën drejt integrimit europian, ndërsa opozita pretendon se dokumenti përmban kritika të forta ndaj mënyrës së qeverisjes.
