Mijëra protestues në Madrid kërkojnë dorëheqjen e Pedro Sánchez pas skandaleve të korrupsionit

Data

Dhjetëra mijëra qytetarë dolën në protestë në Madrid duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit spanjoll Pedro Sánchez, pas një serie skandalesh korrupsioni që kanë rritur tensionet politike në Spanjë.

Sipas autoriteteve, gjatë përplasjeve mes protestuesve dhe policisë mbetën të plagosur të paktën shtatë efektivë, ndërsa tre persona u arrestuan. Incidentet ndodhën pasi një grup protestuesish tentoi të çante kordonin e sigurisë pranë rezidencës së kryeministrit në Pallatin Moncloa.

Pamjet e transmetuara nga mediat spanjolle treguan forcat e policisë duke ndaluar persona të maskuar në rrugën që të çon drejt rezidencës së Sanchez. Protestuesit mbanin pankarta me slogane kundër qeverisë socialiste dhe valëvitnin flamuj kombëtarë spanjollë gjatë marshimit të quajtur “Marshi për Dinjitet”.

Në protestë morën pjesë edhe drejtues të opozitës nga Partia Popullore dhe partia e ekstremit të djathtë Vox.

Situata politike në Spanjë është tensionuar pas njoftimit se ish-kryeministri socialist José Luis Rodríguez Zapatero po hetohet për akuza që lidhen me trafik influence dhe pastrim parash. Zapatero i ka mohuar akuzat.

Ndërkohë, vetë Sanchez ishte përballur më herët me presion politik edhe pas nisjes së hetimeve ndaj bashkëshortes së tij, Begoña Gómez, në vitin 2024. Kryeministri spanjoll i ka cilësuar akuzat dhe hetimet si të motivuara politikisht nga grupet e ekstremit të djathtë.

Organizatorët pretenduan se në protestë morën pjesë rreth 80 mijë persona, ndërsa autoritetet lokale raportuan një pjesëmarrje prej rreth 40 mijë protestuesish.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related