Rezidenca ku banon ambasadori shqiptar në Kiev, Ernal Fino, është dëmtuar nga sulmet e fundit masive të Rusisë ndaj objektivave civile në Ukrainë.
Në pamjet e siguruara nga gazetari Muhamed Veliu, ambasadori shqiptar shfaq pasojat e shpërthimeve në kompleksin rezidencial ku jeton, ndërsa duken xhama të thyer dhe dëmtime të konsiderueshme materiale.
“Kjo është pasojë e sulmit me raketa dhe ja godina e banesës sime, copat e xhamit janë kudo”, dëgjohet të thotë Fino në video.
Sulmi ndodhi gjatë një vale bombardimesh me raketa balistike dhe dronë të ndërmarra nga Rusia kundër Ukrainës, ku u goditën disa zona civile në Kiev.
Autoritetet shqiptare konfirmuan se kompleksi rezidencial ku ndodhej ambasadori shqiptar u prek nga shpërthimet, duke e cilësuar ngjarjen si një përshkallëzim të rëndë dhe një rrezik serioz për personelin diplomatik.
Për fat të mirë, ambasadori Fino nuk ka pësuar lëndime.
Shqipëria ka dënuar ashpër sulmin rus, duke theksuar se goditja e zonave civile dhe rrezikimi i diplomatëve përbën shkelje të rëndë të ligjit ndërkombëtar dhe një tjetër dëshmi të kostos njerëzore të luftës në Ukrainë.
Ministria e Jashtme shqiptare ka bërë të ditur gjithashtu se ambasadori i Federata Ruse në Tiranë është thirrur për të dhënë shpjegime lidhur me incidentin.
