Volodymyr Zelensky ka paralajmëruar se Rusi po përgatit një sulm të ri kundër Ukrainë duke përdorur raketën hipersonike Oreshnik, duke iu referuar informacioneve të inteligjencës ukrainase, amerikane dhe evropiane.
Në një postim në rrjetin X, Zelensky deklaroi se ka shenja të qarta përgatitjeje për një sulm të kombinuar ndaj territorit ukrainas, përfshirë edhe kryeqytetin Kiev.
“Ne shohim shenja përgatitjeje për një sulm të kombinuar në territorin ukrainas – dhe në Kiev – duke përdorur lloje të ndryshme armësh. Këto armë me rreze të mesme veprimi mund të përdoren në një sulm të tillë”, shkroi ai.
Sipas autoriteteve ukrainase, raketa Oreshnik është përdorur tashmë dy herë nga Rusia gjatë luftës. Vladimir Putin ka deklaruar më herët se kjo raketë hipersonike është pothuajse e pamundur të interceptohet për shkak të shpejtësisë së saj shumë të lartë.
Ndërkohë, autoritetet ruse kanë akuzuar Ukrainën për një sulm me dron ndaj një konvikti studentor në rajonin e Luhanskut, zonë e kontrolluar nga Moska në Ukrainën lindore.
Sipas agjencisë shtetërore ruse RIA Novosti, numri i viktimave ka arritur në 18 persona, ndërsa tre të tjerë rezultojnë ende të bllokuar nën rrënoja.
Leonid Pasechnik publikoi një listë paraprake të viktimave dhe të plagosurve. Sipas tij, shumica e viktimave janë gra të reja, ndërsa personi më i ri i vrarë ishte vetëm 18 vjeç. Në listën e të plagosurve figurojnë 41 persona, përfshirë edhe një 15-vjeçar.
Nga ana tjetër, forcat ukrainase kanë mohuar përgjegjësinë për goditjen e konviktit. Sipas deklaratës së tyre, objektivi i sulmit ishte një njësi komanduese e dronëve rusë, rreth 65 kilometra larg vijës së frontit.
Presidenti Putin reagoi ashpër ndaj ngjarjes, duke deklaruar se në zonë nuk kishte instalime ushtarake dhe e cilësoi sulmin si një “akt terrorist”. Ai ka urdhëruar ushtrinë ruse të përgatisë opsione hakmarrjeje kundër Ukrainës.
