Ish-deputeti demokrat Ervin Salianji i është kundërpërgjigjur deklaratave të bëra nga kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë procesit të votimit për drejtimin e PD-së.
Në një reagim publik, Salianji deklaroi se do të paraqesë prova konkrete për pjesëmarrjen reale në zgjedhjet e brendshme të partisë, duke akuzuar Berishën për manipulim të shifrave të votuesve.
Sipas tij, ndryshe nga shifrat zyrtare të publikuara nga Albana Vokshi, pjesëmarrja në votime ka qenë shumë më e ulët.
“Deri tani, në të gjithë Shqipërinë nuk kanë marrë pjesë as 1000 anëtarë. Do t’i faktoj me prova reale sa ka qenë pjesëmarrja dhe si po përgatitesh ta manipulosh atë me shifra false”, shkruan Salianji.
Më herët, Vokshi deklaroi se në votim kishin marrë pjesë rreth 11 mijë anëtarë nga mbi 51 mijë me të drejtë vote.
Në reagimin e tij, Salianji akuzoi Berishën se ka uzurpuar Partinë Demokratike dhe se ka shmangur garën reale për drejtimin e partisë.
“Sot je kthyer në simbolin e votimit pa garë, uzurpatorit pa zgjedhje dhe pa dinjitet politik”, shprehet ai.
Ish-deputeti publikoi gjithashtu fotografi të tjera të fletëve të votimit, ku përkrah emrit të vetëm zyrtar në garë, atij të Berishës, disa anëtarë kishin shkruar edhe emrin e Salianjit si alternativë për kryetar të PD-së.
Në fund të reagimit, Salianji falënderoi demokratët që, sipas tij, po bojkotojnë procesin ose po shprehin pakënaqësinë ndaj asaj që ai e cilëson si “farsë zgjedhore” brenda opozitës.
