Sali Berisha voton në zgjedhjet për kreun e Partia Demokratike: Proces shembullor dhe demokratik, sulmon Ervin Salianji si përfaqësues të botës së krimit

Data

Kryetari i Partia Demokratike, Sali Berisha, ka votuar këtë të shtunë në procesin për zgjedhjen e kreut të partisë, ku ai është kandidati i vetëm në garë.

Pas votimit, Berisha e cilësoi procesin si “shembullor dhe demokratik”, duke theksuar se modeli “1 anëtar – 1 votë” përbën sipas tij një standard të avancuar demokratik.

“Përshëndes të gjithë demokratët që kanë votuar deri tani në mbarë Shqipërinë, në një proces shembullor, në të cilin në mënyrën më demokratike shprehin vullnetin e tyre për kryetarin apo kundër tij”, deklaroi Berisha.

Ai shtoi se Partia Demokratike është ndër të paktat parti që zgjedh kryetarin me votë të drejtpërdrejtë të anëtarësisë.

“I garantoj se do të përmbush me përkushtim të madh detyrimet e mia ndaj qëndrimeve të tyre”, tha ai.

Gjatë deklaratës për mediat, Berisha reagoi edhe ndaj publikimeve të Ervin Salianji, i cili më herët kishte shpërndarë fotografi të fletëve të votimit ku anëtarë të PD-së kishin shkruar emrin e tij.

Berisha e akuzoi ish-deputetin demokrat si “përfaqësues të botës së krimit”.

“Përpëlitjet e një përfaqësuesi të botës së krimit nuk mund të përlyejnë këtë proces më demokrat në Shqipëri. Përfaqësuesit e botës së krimit nuk do kenë vend kurrë në këtë parti”, deklaroi kreu i PD-së.

Ai shtoi se ndarja e Partisë Demokratike me botën e krimit është, sipas tij, “ndarje me jetë a vdekje”.

Në momentin e votimit, Berisha shoqërohej edhe nga bashkëshortja e tij, Liri Berisha.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related