Ferit Hoxha: Samiti i ardhshëm i NATO në Tiranë do të jetë moment historik për Ballkanin Perëndimor

Data

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, mori pjesë më 21–22 maj në Takimin Jozyrtar të Ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të NATO, i zhvilluar në Helsingborg.

Gjatë fjalës së tij, Hoxha theksoi angazhimin e Shqipërisë ndaj vlerave të NATO-s, forcimit të lidhjes transatlantike dhe rritjes së investimeve në mbrojtje.

“Buxheti ynë i mbrojtjes për vitin 2026 përfaqëson nivelin më ambicioz të investimeve që kur Shqipëria iu bashkua Aleancës, duke kontribuar në aftësi më të forta kombëtare dhe siguri kolektive”, deklaroi ministri.

Ferit Hoxha rikonfirmoi gjithashtu mbështetjen e plotë të Shqipërisë për Ukrainë dhe njoftoi se më 12 qershor do të bashkëorganizojë në Tiranë, së bashku me ministrin ukrainas Andrii Sybiha, Takimin Ministror Ukrainë–Evropë Juglindore.

Sipas tij, ky takim do të shërbejë si një platformë për riafirmimin e angazhimit të përbashkët për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Evropë.

Në deklaratën e publikuar në rrjetin X, ministri shqiptar nënvizoi rëndësinë e një qasjeje 360 gradë ndaj sigurisë dhe nevojën për fokus të vazhdueshëm në stabilitetin e Ballkani Perëndimor dhe Lindjes së Mesme.

Ai theksoi gjithashtu angazhimin e Shqipërisë në mbështetje të stabilitetit rajonal dhe diskutimeve të aleatëve për të ardhmen e KFOR dhe bashkëpunimin e NATO-s me Kosovë.

Në përfundim, Hoxha e cilësoi mbajtjen e samitit të ardhshëm të NATO-s në Tiranë si një moment historik për rajonin dhe një sinjal të fortë të angazhimit të vazhdueshëm të Aleancës ndaj Ballkanit Perëndimor.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related