Deputetja e Partia Demokratike e Shqipërisë, Jorida Tabaku, zhvilloi një takim me ambasadorin Jan Braathu, ku në fokus ishte situata e medias dhe sfidat që lidhen me lirinë e shprehjes në Shqipëri.
Tabaku, e cila drejton edhe Komisionin për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, deklaroi se gjatë takimit u diskutua mbi kërcënimet dhe sulmet ndaj gazetarëve, si dhe nevoja për pavarësi reale editoriale dhe politike të mediave.
Sipas saj, në bisedë u trajtua edhe roli që mediat publike duhet të luajnë në luftën kundër dezinformimit.
Deputetja ngriti shqetësimin se procesi i integrimit europian po përdoret shpesh si justifikim për të kaluar me shpejtësi ligje të rëndësishme, pa konsultim të mjaftueshëm publik dhe pa standardet e nevojshme demokratike.
Jorida Tabaku theksoi gjithashtu nevojën për reformim të kuadrit ligjor të medias, përfshirë hartimin e një ligji të ri për mediat dhe miratimin e legjislacionit kundër SLAPP, që synon mbrojtjen e gazetarëve nga presioni dhe intimidimi përmes proceseve gjyqësore.
“Sot jemi në një situatë më problematike se disa vite më parë, jo vetëm për median, por për standardet demokratike në tërësi”, u shpreh Tabaku.
Ajo shtoi se integrimi europian duhet të jetë një proces real dhe i besueshëm për qytetarët, i mbështetur mbi institucione të lira, media të pavarura dhe standarde demokratike të zbatueshme në praktikë.
