Është zbardhur dëshmia e drejtorit të Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në Shkodër, Ramir Haderi, i cili u dhunua një ditë më parë me sende të forta në qytetin verior.
Sipas burimeve hetimore, Haderi ka deklaruar para grupit hetimor se nuk ka arritur të identifikojë autorin e sulmit.
“Isha duke ecur dhe po flisja në telefon, kur një person doli nga një rrugicë dhe më goditi me një send të fortë. Nuk arrita ta shoh, pasi u largua me shpejtësi”, mësohet të ketë thënë ai.
Si pasojë e sulmit, drejtori i AKU-së ka marrë dëmtime në pjesën e vetullës dhe ka marrë ndihmë mjekësore në spital. Më pas ai është larguar në gjendje jashtë rrezikut për jetën.
Në dëshminë e tij, Haderi ka mohuar të ketë konflikte personale dhe është shprehur se nuk di arsyen e sulmit.
“Nuk e di përse më goditi. Nuk kam konflikte me njeri. Bëj punën normalisht”, ka deklaruar ai.
Ndërkohë, Policia e Shtetit vijon hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorit. Hetuesit kanë sekuestruar kamerat e sigurisë pranë vendit të ngjarjes, por deri tani nuk është bërë i mundur identifikimi i personit të dyshuar.
Sipas policisë, një nga pistat kryesore të hetimit mbetet ajo e sulmit për shkak të detyrës, ndërsa po verifikohen edhe motive të tjera të mundshme.
Në muajin mars, Haderi dhe disa punonjës të AKU Shkodër u përfshinë në një hetim lidhur me zhdukjen e rreth 95 tonëve misër të kontaminuar me aflatoksinë, të bllokuar nga autoritetet. Po ashtu, gjatë javëve të fundit, AKU Shkodër ka zhvilluar kontrolle dhe masa ndëshkuese ndaj disa subjekteve ushqimore në qytet.
